Deputeti i LSI, Nasip Naço, shpjegon votën pro Komisionit hetimor të PS

Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, ka sqaruar votën që LSI bashkoi me Partinë Socialiste për ngritjen e Komisionit hetimor për lëvizjen e popullsisë në qarkun e Kukësit.Deputeti i LSI-së në parlament tha për Ora News se LSI mbështet ngritjen e një komsioni të tillë për sa kohë ka hije dyshimi për lëvizjen e popullsisë në këtë qark, pasi ky proces lidhet me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 2013. “Nëse PD thotë se regjistri i gjendjes civile është transparent, atëherë duhet të votonte pro ngritjes së këtij Komisioni”, tha Nasip Naço.Duke folur për votat pro ngritjes së këtij Komisioni dhe votën abstenuese të deputetit të LSI, Vangjel Tavo, Naço tha se ky nuk ishte një vendim grupi, por është parë e arsyeshme nga përfaqësuesit e LSI se ky Komision duhej ngritur.Një ditë më parë në Kuvend u rrëzua me 69 votat e mazhorancës kërkesa e PS për ngritjen e një komisioni hetimor per veprimtarinë e organeve shtetërore për lëvizjet e popullsisë ne Kukës.Pro ngritjes së këtij Komisioni votuan 62 deputetë, përfshirë këtu dhe 3 votat e Ilir Metës, Lefter Kokës dhe Nasip Naços të LSI-së, ndërsa Vangjel Tavo abstenoi.