Pack: Zgjedhjet kusht për negociatat, politikanët duhet të “piqen”

Në vazhdimësi të deklaratave të europarlamentarëve lidhur me progres- raportin për Shqipërinë, europarlamentarja Doris Pack në një intervistë për DW ka theksuar se kusht për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE do të jenë zgjedhjet 2013, ndërsa ka shtruar nevojën për realizim të 3 prioriteteve të mbetura pezull përpara mbledhjes së KiE. Lidhur me këtë të fundit, Pack shpreh shqetësimin lidhur me sjelljen e klasës politike në vend, ku thekson se mungon pjekuria politike.“Ata mund t`ia dalin. Më në fund duhet të arrijnë forma të tjera, ligje të tjera në sektorin e drejtësisë në sektorin e administratës dhe në sektorin e punës parlamentare. Këto janë parakushte dhe njihen prej tyre me kohë. Për fat të keq muajt e fundit opozita ka refuzuar bashkëpunimin në këto çështje. Shpresoj që ky të jetë një sinjal për gjithë parlamentin që t`i realizojë këto detyra. Megjithatë, kjo do të thotë se [shqiptarët] të shpresojmë, me gjasa, fitojnë statusin e kandidatit; kjo nuk do të thotë se fillojnë negociatat. Ato do të nisin në rast se vitin e ardhshëm zgjedhjet shkojnë mirë, kur të jetë vërtetuar se ka vullnet politik për të folur njëri me tjetrin, sepse ajo që na konstatojmë në Shqipëri të gjithë si negative dhe që na tremb është sjellja njëri me tjetrin, edhe në parlament e jashtë tij. Mendoj se në këtë pikë ata kanë shumë gjëra për të mësuar, mungon pjekuria politike. Lidhur me këtë ka ende gjëra për të bërë, por shpresoj shumë që tani ta kenë kuptuar se statusi i kandidatit është i arritshëm dhe kur është siguruar ai me gjasa ka edhe më shumë vrull për t`u marrë edhe me çështjet e tjera” është shprehur ajo.Nëse do të ketë një refuzim nga KiE të Shqipërisë, ajo shprehet se Këshilli ka për ta ndjekur propozimin e Komisionit vetëm në qoftë se plotësohet ajo çka tha Komisioni. “Dhe në qoftë se mbërrijmë te dhënia e statusit kandidat, në qoftë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet që sapo përmenda, atëherë do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm dhe pastaj do të shohim sesi ka ndryshuar apo edhe nuk ka ndryshuar klima politike, dhe vetëm atëherë do ta formojë opinionin Këshilli, nëse ky vend është i pjekur sa duhet për të nisur negociatat. Pra, zgjat edhe ca. Le të presim edhe pak. Këtë nuk e përjashtoj dot, por mendoj se Komisioni veproi mirë duke dhënë këtë sinjal. Ndoshta kjo i ndihmon ata që qeverisin dhe opozitarët që në këtë mënyrë të bëjnë përpara” thekson Pack.E pyetur rreth grevës së ish të burgosurve politike dhe faktit sesi përceptohet ajo jashtë Pack shprehet:“Natyrisht, ky është edhe sinjal që tregon se jo gjithçka shkon mirë në Shqipëri. Por duhet ditur (e thashë në fillim) se sa e vështirë ka qenë rruga e Shqipërisë. Ajo erdhi, gati brenda natës, nga një vend i qeverisur vërtet në mënyrë tejet komuniste në situatën ku duhej praktikuar demokracia. Dhe shumë prej gabimeve dhe padrejtësive të kryera më parë në kohën komuniste nuk janë mënjanuar ende plotësisht. Kjo është realisht e vërtetë, por për këtë arsye nuk duhet mbivlerësuar situata aktuale. Duhet ndërmarrë përpjekja për të ndihmuar shqiptarët, në mënyrë që ata të arrijnë ta kapërcejnë edhe këtë problem”.Dhe për sa i takon zbardhjes së ngjarjeve të 21 janarit 2001, eurodeputetja shprehet se procesi po zvarritet, por shprehet e sigurt që në fund çështja do të zbardhet. “Problemi është që situata ishte shumë e acaruar, që shumë muaj pas zgjedhjeve opozita nuk mori pjesë në qeverisje dhe organizonte vazhdimisht protesta. Dhe në kuadër të protestave të tilla masive , një proteste masive të tillë, ngjau edhe që disa vetë humbën jetën. Këtu pyetja është: Kush e ka fajin? Është disi pyetja e zinxhirit shkakor: Ç`ishte në fillim, pula apo veza?” shton më tej ajo.