Halili: Tirana e shiti finalen e Kupës
Refik Halili ka nxjerrë në dritë një prapaskenë të frikshme, që ka ndodhur në vitin 2009, kur Tirana humbi finalen e Kupës së Shqipërisë. "Ajo ndeshje ishte e shitur, e shitën lojtarët". - ka thënë ish-presidenti i Tiranës për "Ora News".Ish-kreu i klubit bardheblu nuk ka dhënë argumenta dhe nuk ka përmendur emra futbollistësh, por ka deklaruar me vendosmëri se ajo ndeshje ka qenë e manipuluar, duke ua faturuar futbollistëve dështimin dhe përgjegjësinë."Kur nuk vdiqa atëherë, nuk mendoj se do të vdes ndonjëherë nga futbolli. Isha tmerrësisht i stresuar pas ndeshjes, sepse u hapën llafe, duke aluduar se Refik Halili kishte prona në Vlorë dhe kishte ndonjë interes që të bënte dallavere. E turpshme! Kisha investuar qindra-miliona lekë për të fituar titullin dhe Kupën dhe duhej t'i hidhja në erë ato pikërisht në fund?! E kuptoni ju se çfarë kostoje ishte ajo, apo jo? Sigurisht, tifozët dhe gazetarët e dinë mirë atë punë dhe si shkoi ajo ndeshje. Unë mendoj se ishte e shitur. Po ju them se kisha vënë 48 milionë lekë shpërblim për skuadrën në rast se fitonte Kupën dhe kur e pashë atë që ndodhi në fushën e lojës, u dëshpërova shumë," - ka deklaruar ish-drejtuesi i klubit bardheblu.Halili më pas ka kritikuar edhe njerëzit që menaxhojnë klubin "Tirana" dhe ata që qëndrojnë pranë kryebashkiakut Lulzim Basha. Ish-presidenti ka delaruar se Basha është i vetmi person që mund ta zgjidhë ngërçin aktual, por ai është pak i informuar mbi gjendjen, ose i keqinformuar."Kurrë në këto 22 vite Tirana nuk ka vuajtur kaq shumë nga financat. Unë mendoj se kjo është e zgjidhshme, madje zgjidhet shpejt e saktë. Mjafton që të afrohen disa donatorë që të mund të investojnë dhe merr fund kjo punë. Një ndër donatorët e interesuar jam edhe unë, por ama neve, apo kushdo që të afrohet, duhet t'u njihen kontributet, sepse nuk mund të hedhim para kot duke mos marrë asnjë përfimtim. Unë kam respekt për kohën kur kam bashkëpunuar me donatorët e tjerë, por mendoj se ata u treguan disi më të zgjuar, sepse e panë se kjo punë nuk kishte zgjidhje dhe se klubit i duhej shumë kohë për t'u shndërruar në shoqëri aksionare, ndaj u tërhoqën. Unë financova deri në fund dhe nuk jam bërë pishman, por ama edhe kështu nuk mund të qëndroja," - ka deklaruar Halili.