Sequi i dorëzon Ramës progres raportin: Zgjedhjet, me rëndësi

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi i ka dorëzuar sot kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama progres raportin e publikuar dje nga Komisioni Europian ku ky i fundit rekomandoi dhënien e statusit të kushtëzuar për Shqipërinë.Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e PS-së Edi Rama, Sequi ka kërkuar vijimin e bashkëpunimit mes palëve politike në interes të integrimit, ndërsa ka thënë se çelja e negociatave do varet edhe nga cilësia e zgjedhjeve.“Ne kemi diskutuar përmbajtjen dhe rekomandimet dhe mënyrën për të ecur përpara. Shpreha vlerësimin e plotë për rolin e opozitës për ato që ne i kemi parë dhe dëshmojmë sot. I shpreha Ramës falënderimet e Fyle dhe Sanino për punën e bërë dhe rolin dhe meritat e plota që i përkasin opozitës në këto reforma që kemi parë deri më sot. Të gjithë elementë që na kanë sjell deri këtu, fryma e kompromisit, dialogut të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Diskutuam për mekanizmin e çeljes së negociatave për anëtarësim pasi të jetë pranuar edhe rekomandimi për dhënien e statusit. Negociatat do ketë të bëjë edhe me natyrën e zgjedhjeve në vend” tha Sequi.Nga ana e tij, kreu i PS-së Edi Rama ka theksuar se muaji dhjetor do të jetë stacioni i rëndësishëm për Shqipërinë pasi atëherë ku do të merret edhe vendimi nga Brukseli për vendin tonë.  "Ne presim prova të qarta nga qeveria që ka vullnet politike. Nga njëra anë për të përmbyllur paketën e nëntorit të shkuar për reformën parlamentare dhe nga ana tjetër për ti hapur rrugë asaj që në raport konsiderohet një fazë e ligjshmërisë që për ne kjo do të thotë zbatim i vendimit të gjykatave lidhur me qarkun e Fierit" theksoi Rama duke shtuar se qarku i Fierit nuk është një kusht i opozitës por një kërkesë legjitime e saj për një çështje me një simbolikë shumë të fortë.Rama gjithashtu theksoi se opozita është tërësisht e angazhuar për të vijuar të japë kontributin e saj për përmbushjen e kritereve të kërkuara. "Ne jemi të angazhuar për të vijuar të veprojmë duke parë horizontin dhe prespektivën e Shqipërisë dhe jo llogaritë e politikës të ditës në raport me integrimin. Dhe duke qënë se vlerësimi kryesor i jepet kontributit që lidhet me bashkëveprimin në parlament ne jemi të motivuar ta japin kontributin po ajo që duhet të shikojmë është që të shohim vetëm realitetin” shtoi Rama.Kreu i opozitës ka deklaruar se cilësia e zgjedhjeve të 2013-ës do të jetë një pikë kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ky është një moment i rëndësishëm për ti thënë të gjithë atyre që kërkojnë zgjedhje të lira se procesi i integrimit është mbështetje për zgjedhje të lira dhe bashkërendimi me Komisionin Europian është një gur themeli shumë i rëndësishëm” shtoi Rama.Kreu i PS-së, Edi Rama gjithashtu duke falenderuar ambasadorin dhe KE për raportin ka vlerësuar raportin inkurajues për vendin. “Jam krenar sot për çka ne, PS, kemi arritur të bëjmë në këtë proces, përmirësimin e ligjeve me 3/5, përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, reformën zgjedhore dhe përfaqësimin në forumet e përbashkëta BE-Shqipëri, jam krenar se të gjitha këto përbëjnë aspektin që lidhet me progresin dhe progresi i konstatuar prek atë fushë që ka të bëjë me kontributin e opozitës”- tha Rama.Sipas raportit të KE-së, rekomandimi për dhënien e statusit kushtëzohet nga plotësimi i disa reformave thelbësore deri në muajin dhjetor, si ajo në drejtësi, reforma parlamentare, ligji për Gjykatën e Lartë dhe angazhim serioz në luftën kunder krimit të organizuar dhe korrupsionit.