Ibrahimoviç në kërkim të rekordeve
Me 17 golat e tij Zlatan Ibrahimoviç është në kërkim të rekordeve për t'u thyer. Si ai i Skoblarit, i cili në vitin 1971 me fanellën e Marsejës e mbylli sezonin në kuotën e 44 golave, por gjatë fazës së parë shënoi 21. Si rrjedhojë Ibrahimoviçit tani i duhen edhe katër gola, e ndoshta me dy dopieta, të cilat janë specialiteti i tij, meqenëse ka firmosur deri tani pesë të tilla, mund t'ia dalë mbanë të kapë shifrën e 21 golave gjatë fazës së parë. Ndërkohë nëse shënon pesë gola, do arrinte rekordin e Oliver Giroud dhe Nenes. Gjithsesi me 17 golat e tij, Ibrahimoviç ka arritur të kalojë me dy gola performancën e Pauletës, i cili ka qenë kryegolashënuesi i fundit i PSG-së. Përveç rekordeve të lartpërmendura, Ibrahimoviç mund të shënjestrojë në mënyrë simbolike rekordin prej 30 golash të Papin me Marsejën në kampionatin francez, shifër të cilën nuk e ka kaluar askush që prej vitit 1990. Por ish-sulmuesi kuqezi ka fituar edhe një tjetër pseudonim: "Zlatan Inzaggi". Krahasimi ka lindur pas asaj triplete kundër Valenciennes. Gjatë kësaj sfide Ibra është treguar tepër dinak duke u kujtuar të gjithëve Inzagin, në kohën kur ky i fundit arrinte të depozitonte në rrjetë me një prekje të lehtë topa që po dilnin nga fusha, apo aksione të cilat në dukje nuk konsideroheshin të rrezikshme. Pikërisht për të përditshmen "L'Equipe", gjatë muajit Shtator, Ibrahimoviç e ka përshkruar kështu nuhatjen për gol të Inzaghit: "Pippo nuk është futbollist i thjeshtë, por ka një nuhatje të paparë përpara portës. Unë nuk e kam atë nuhatje, edhe pse mund ta mësoj".