Maqedoni, sot zhvillohen zgjedhjet presidenciale
Në Maqedoni mbahenen sot zgjedhjet e pesta presidenciale, ku në garë janë katër kandidatë.Në garën për president janë Iljaz Halimi nga PDSH, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski nga LSDM dhe Zoran Popovski nga GROM.1.778.572 qytetarë me të drejtë vote do të votojnë në 3.480 vendvotime në tërë vendin, nga ora 07.00 deri në orën 19.00 kur do të mbyllen edhe qendrat e votimit. Qytetarët do të kenë mundësinë për të zgjedhur mes katër kandidatëve, dhe se do të zgjidhet ai që do të fitojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve. Por, në rast se nuk arrihet ky census në raundin e parë, atëherë pas dy javëve do të zhvillohet raundi i dytë, ku do të garojnë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota.Duke pasur parasysh praktikën e deritanishme, gjasat e mëdha janë për raundin e dytë që do të mbahet më 27 prill, në të njëjtën ditë kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.Në këto zgjedhje presidenciale për herë të parë kanë votuar dje edhe 8.311 qytetarë jashtë vendit. Dje gjithashtu kanë votuar pjesëtarët e armatës, të sëmurët dhe personat e paaftë, si dhe të shpërngulurit. Votën e tyre dje e kanë dhënë edhe 1.706 të burgosur nëpër burgjet e Maqedonisë.Zgjedhjet presidenciale do të vëzhgohen nga 8.325 vëzhgues vendor dhe 326 vëzhgues të huaj.