Rasti “Kleçka” kthehet në pikën zero
Një trup gjykues i Gjykatës Supreme e ka kthyer në rigjykim cështjen kundër gjashtë të pandehurve, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, në pjesën e dytë të ashtuquajturit rastit “Kleçka”. Këtë e ka konfirmuar për Kosovapress Fehmije Gashi, avokate e njërit nga gjashtë të pandehurit, Arben Krasniqi.Vendimi e Gjykatës Supreme e ka konfirmuar edhe misioni EULEX në Kosovë, përmes një komunikate për media.“Trupi gjykues i Gjykatës Supreme e miratoi ankesën e Prokurorit Special të EULEX-it dhe e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili i kishte liruar nga akuza Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.Mes tjerash, të pandehurit ishin akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Po ashtu, trupi gjykues e shpalli të pranueshme dëshminë e Agim Zogajt, i njohur edhe si “dëshmitari X”, si dhe provat e mbledhura gjatë bastisjes së objekteve të Naser Krasniqit dhe Fatmir Limajt”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.Fehmije Gashi, avokate e Arben Krasniqit, e ka konfirmuar për Kosovapress përmes telefonit vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me kthimin e lëndës në rigjykim në shkallën e parë të Gjykatës së Qarkut.“Sot trupi gjykues i Gjykatës Supreme e ka marrë një vendim që gjykimi të kthehet prapë në gjykatën e shkallës së parë si dhe i pa pranuar si prova të pranueshme deklaratat e dëshmitarit Agim Zogaj si dhe ditarët e tij”, ka thënë ajo.Rasti Kleçka ishte ndarë në dy pjesë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për të cilën ishin nxjerrë dy vendime. Gjykata në atë kohë e kishte shpallur dëshminë e Agim Zogajt si të papranueshme dhe i kishte liruar nga akuza të gjithë të pandehurit përmes të dyja vendimeve.Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim cështjen për katër të pandehurit e tjerë të liruar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë përmes njërit nga vendimet lidhur me këtë rast.