Veliera e MAPO-s, një anije kundër kohës?!
Shtypi i shkruar, lajmëtarë dhe orakuj të shumtë, thonë se po vdes.Edhe karta apo letra e shtypur, po ashtu. Një kryqëzatë e nisur shumë vite më parë nga Silicon Valley. Ushtria e pamatë e silicit dhe e mikroçipeve, e mizërishme, magjike dhe joshëse, ka pushtuar tashmë të gjithë botën. Dhe e gjithë bota është online dhe lundron mbi një univers silici dhe qelqi. Dhe sakaq, gjithçka mund të shfaqet dhe shndërrohet në trajtën e vet dixhitale, ku mjafton mollëza e gishtit për të vërtitur të gjithë planetin në pëllëmbë të dorës.Pra, me sa duket, herët a vonë do të duhet të themi: ‘lamtumirë o shfletim i gazetës, mëngjeseve shpresëdhënëse, pranë avullit të kafesë!’Nuk do të ketë më herët a vonë, thonë lajmëtarët e këtij kobi, ngjyerje me pështymë të gishtit për të ndarë fletët që ngjiten nga palosja e kartës së shkruar. Nuk do të ketë më aromë tipografie, parfumi i parapëlqyer që ka eksituar sa e sa mendje të ndritshme për qindra vite rresht.Sepse, me sa duket, nuk ka më pse dhe nuk do të ketë më lëndë. Nuk ka më prekje të drejtpërdrejtë të asaj që është shkruar. Nuk ka më vëllim dhe ashpërsi ledhatare të letrës që bart fjalën.Do të bjerë edhe proverbi latin ‘scripta manent’ e ndoshta do të bëhet shumë shpejt ‘silicon manent’. Sëpaku kështu shkruajnë e rrëfejnë lajmësit e këtij Apokalipsi, nga Parisi në Tokio, nga Moska në New York dhe nga San Paolo, Shanghai e deri në Melburn. Apokalipsi i nisur nga Silicon Valley i San Francisco-s, do të rrënojë përfundimisht një perandori shumë shekullore.Nisur 600 vite më parë, në zemër të Europës, nga Johannes Gutennberg e këtej.Perandori heroike, shkëlqimtare, verbuese dhe magjepsëse sa më s’ka.Tanimë kemi hyrë dhe s’dihet se kur do të dalin breza të tërë, në Erën e Re, të librit dixhital. Ndoshta shpejt e më shpejt edhe të dashurive seksuale dixhitale.Sepse me sa duket, perandori i madh i kësaj Epoke do të shpallet vetëm syri. Sepse do të udhëtojmë gjithmonë e më shumë me sy e me mëndje sesa me këmbë. Do të shohim gjithçka, ndonëse nuk do të prekim në të vërtetë dot asgjë.Një Diktaturë e Re Botërore, apo një Demokraci e Re Universale?Do të kemi tash e mbrapa, vetëm një botë eteri.Eter, përtej xhamit.Do të mësohemi, si edhe po ndodh ditë mbas dite, të shohim e të lexojmë dhe të mos prekim. Do të ketë tash e tutje, veçse një trokitje mollëzash mbi silic apo xham të ndjeshëm. Dhe xhami, edhe më shumë se femra më e ndjeshme, do të eksitojë pamje, lajme, befasira.Atëherë, duke e ditur këtë, përse ta rinisim sërish velierin MAPO në mesin e këtij deti të trazuar dhe jo miqësor?Një aventurë e pamenduar?Një anije kundër kohës?!Ndoshta po, dhe ndoshta jo. Ndoshta mendojmë, me ose pa të drejtë, se e veçanta jonë qëndron pikërisht në këtë raport të përmbysur me kohën. Në të drejtën për të ekzistuar edhe në letër edhe në silic.Në besimin shpresëpakët se libri dhe gazeta klasike, sidoqoftë nuk do të vdesë. Sepse një rrymë idhtarësh të asaj që ishte gazeta, një aleancë mendjesh të paqeta, që grupohen në të njëjtën ‘Agora’, ndoshta do të kenë nevojë gjithmonë të gjejnë tek ne shtëpinë e tyre të hapur. Shtëpinë ku ka gjithmonë një zjarr të ndezur dhe një laborator të disponueshëm idesh. Për të eksploruar vetveten dhe të tjerët, brenda dhe jashtë nesh.Sepse pavarësisht shtrirjeve të suksesshme horizontale të Perandorisë së Silicit, ‘homo sapiens’ ka gjithmonë nevojë për një ‘aventurë’ vertikale, në thellësi të vetes dhe në thellësi të dukurive. Ashtu si polumbarët që lexojnë përmes zhytjeve të guximshme, historinë vertikale të njerëzimit, në fundin e oqeaneve. Ndonëse në sipërfaqe lëvrijnë jahte dhe transoqeanikë të panumërt në trajektoret e tyre horizontale.Mos vallë kemi rënë në iluzionin e të qënit të pakohë? Një mendjemadhësi ekselente e paradënuar për ndëshkim?Ndoshta.Por, pasionin e sfidës dhe meritën e këtij pasioni, sëpaku askush nuk na e mohon dot.Prandaj, le të rinisemi.‘Zotat qofshin me ne!’, thuhej në pragnisjet e rrezikshme, në kohërat e mbrame mitologjike.Në kohërat pa kohë, që ia kanë dalë mbi pllaka guri apo mbi papiruse të mbërrijnë deri në Erën tonë. Me shanse shumë më të paka se tonat sot.Sepse ata besonin, si edhe ne besojmë, se përmbajtja, gjithsesi mbijeton më gjatë se sa format e shumta të shfaqjes së saj./Burimi: mapo.al/