Reforma Territoriale, Qarku i Gjirokastrës mund të ngelet me 1 Bashki

Reforma Territoriale do të përmbyllet para zgjedhjeve të ardhshme lokale, ndërsa shumë prej komunave aktuale nuk do të ekzistojnë më për shkak të problemeve që shkaktojnë në buxhetin e shtetit".

Kështu ka deklaruar nga Gjirokastra Ministri Çuçi, i cili ka theksuar faktin se qarku i Gjirokastrës renditet si qarku me rënien më të ndjeshme të popullsisë ku vetëm në 10 vitet e fundit janë larguar mbi 60 % e popullsisë, ndërsa 5 njësi vendore të këtij qarku me të ardhurat e tyre kanë kryer zero investime.

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Bashkim Fino, ka kërkuar pjesëmarrjen e opozitës në këtë reformë, ndërsa është shprehur se reforma e re territoriale do të respektojë të gjitha pakicat kombëtare.

Qarku i Gjirokastrës numëron sot 26 komuna dhe 6 bashki, ndërsa sipas reformës së re në këtë qark mbetet bashki vetëm Gjirokastra. Në ditët në vijim të pritet rikonfigurimi i ri për të parë nëse si pasojë e bashkimit të fshatrave mund të krijohet ndonjë bashki apo komunë e re, pasi asnjë  prej tyre nuk përmbush numrin e popullsisë me mbi 10 mijë banorë, ndërsa në të gjitha variantet e diskutuara qarku i Vlorës dhe i Gjirokastrës do të jenë në një rajon.