Takimi Rama-Basha, i duhur edhe si episod komunikimi

Një takim ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit të opozitës si veprimtari politike rutinë është ende i paimagjinueshëm në kontekstin e jetës politike në Shqipëri. Takimi i pritshëm Rama-Basha për çështjen e reformës administrative territoriale duhej të binte normalisht në zonën e rutinës proceduriale ndërmjet palëve politike. Madje mund të mos lindte fare nevoja për takim mes tyre sikur teknikalitetet të mjaftonin. Vetëm se këtë lloj funksionaliteti politik vështirë ta përfytyrosh me kontekstin shqiptar në sfond! Është pikërisht ky raport i përmbysur që e shndërron në episod publicitar dhe lajm të bujshëm një takim normal ndërmjet kryeministrit të vendit dhe kryetarit të opozitës, aq sa nuk është fare çudi që gazetarët të rendisin me vlera më të larta si lajm takimin Rama-Basha përkundrejt Rama-Obama!Kriteri i të pazakonshmes e bën lajm në vetvete këtë takim, për të mos thënë që edhe mundësia e një takimi ndërmjet tyre përbën gjithashtu lajm. Pasi, me gjithë debatin e ndezur publik, deri tani jemi thjesht tek ideja e mundësisë për t’u takuar si lajm. Basha është në gjendje t’i japë Ramës lajmin e parë dhevice-versa. Një lajm si gatim i dalë nga duar “Master-shefash” shqiptarë të komunikimit politik dhe PR-it. Që, sikundër druhen të gjithë ata të cilët kanë dalë kundër kësaj mundësie për takim, mund të fillojë dhe të mbarojë si një operacion i thjeshtë imazhi dhe publiciteti për Ramën ashtu si edhe për Bashën. Llogaritë analitike në përpjekje për të matur efektet e takimit (të hamendësuar) numërojnë pikët ose kreditet që ky takim mund të shtojë në kontot individuale të dy protagonistëve. Sipas llogarive, Rama del me fitim si kryeministër dialogues përpara ndërkombëtarëve, as Basha nuk del keq si lider opozitar me qasje perëndimore. Një takim kaq i shpejtë dhe pa ndonjë shkas madhor ndërmjet tyre (çështja e reformës territoriale lexohet si pretekst) tingëllon për ne vrojtuesit periodikë të politikës jo vetëm i parakohshëm, por edhe i kotë dhe i padobishëm si një zhgënjim i paralajmëruar nga shfaqja politike e radhës në Shqipëri. Rezistenca ndaj shout dhe PR-it politik në arenën publike ka arritur nivele kaq të larta saqë asnjë episod i thjeshtë apo formalitet politik nuk kalon pa u dyshuar, relativizuar, kontestuar. Me dhe pa të drejtë!Vetë diskutimi në lidhje me këtë çështje (nëse duhet apo nuk duhet të takohen Rama dhe Basha) është një devijancë e diktuar nga rrethanat shqiptare, që duke rënë dakord me kolegët e tjerë që kanë shkruar përpara meje për këtë çështje, tregojnë mospërmbushjen e pritshmërive të larta publike nga këto takime në të shkuarën. As ky takim, me gjasë, nuk ka për t’i përmbushur. Mund të biem dakord për këtë, por kjo nuk e ndryshon faktin që e arsyetoj jo vetëm me vlerë lajmi, por edhe si episod të domosdoshëm të komunikimit politik një takim të mundshëm ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. Ashtu si edhe çdo përballje të mundshme mediatike dhe publike ndërmjet tyre. Pa frikën se na vendosin në pozita naive dhe si spektatorë përballë spektaklit të tyre të radhës, edhe në qoftë ky objektivi i tyre kryesor në listën e përfitimeve nga takimi.Si fillim, kërkimi i një sebepi ose rrethane të jashtëzakonshme për një takim pozitë-opozitë ilustron anormalitetin shqiptar në këtë drejtim dhe jo arsyetim logjik për të kundërshtuar në parim çdo takim të mundshëm, edhe këtë takim. Mirë se të vijnë në Shqipëri takime të tilla “të kota” publike, pa arsye madhore, ndërmjet palëve kundërshtare politike! Këtu ka disa lajme të mira: 1. Që po  takohen! 2. Që po takohen pa shkak madhor! 3. Që po takohen më shpejt se të tjerët në të shkuarën! Nëse një episod i tillë “i kotë” shoqërohet nga të tjera episode në të ardhmen deri në zhvlerësimin e lajmit të parë, atëherë do të mund të nxirrnim edhe një lajm tjetër të mirë: që takimi Rama-Basha nuk përbën më ndonjë lajm kushedi se çfarë! Nuk ka pse t’i druhemi këtij normaliteti komunikues, edhe pse mund të prodhojë monotoni të nesërmen në vend të spektaklit dhe shout që prodhon në të sotmen.Në vazhdim, sa e sa episode të kota publiciteti politik vendosin në axhendën publike dhe mediatike politikanët shqiptarë çdo ditë, pa hasur kurrfarë pengese apo rezistence nga ana e mediave apo e opinionit publik? Seriali mediatik i përurimit të zyrave të punësimit si kërpudha nëpër qytetet shqiptare plot me të papunë rrugëve, është një episod bufonadë PR-i politik, sa për të dhënë një shembull! Po kështu edhe dhjetëra “mundësitë për foto” a shtrëngime duarsh (“photo opportunity”) që rendin të bëjnë politikanët shqiptarë në korridoret politike perëndimore me homologë dhe politikanë të vendeve të zhvilluara, për të asociuar veten me ta në vlera dhe simbolika pushteti. Si formalitete zyrtare por edhe politike, mos duhet t’i skualifikonim edhe takime të tilla zyrtare meqenëse shërbejnë si publicitet dhe PR që del me përfitim për politikanët shqiptarë?!Nga ana tjetër, është e qartë që nga një episod i vetëm takimi ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit të opozitës në Shqipëri nuk mund të presim as transformim, as normalizim të jetës apo të klimës politike në tërësi. Do të duhen shumë e shumë episode të tilla, anipse “të kota”, që të mund të flitet për komunikim dhe dialog të mirëfilltë ndërmjet palëve politike në Shqipëri. Kësisoj, zor se një episod i veçuar si ky të mund të shërbejë për të prodhuar automatikisht solidaritet politik dhe publik, nëse biem dakord që ndihet nevoja për një faktor të tillë zhvillimi dhe pjekurie në kushtet e një atmosfere rezistente që ka krijuar politika zhurmëmadhe e konfliktualitet dhe mosmarrëveshjes ndër të gjithë ne.Mirëpo, duhet pranuar se, në fund të fundit, një mostakim nuk do të ishte ndonjë gjë për t’u shënuar! Si lajm, jo e jo, duke qenë se nuk ka gjë më të zakonshme sesa të mos takohen dy protagonistët kryesorë të politikës në Shqipëri, por as ndonjë dobi shoqërore, politike dhe kombëtare nuk besoj të mund të dalë nga një mostakim Rama-Basha. Përkundrazi, një episod takimi shënon diçka jo vetëm si lajm, por edhe si akt komunikimi, që sa më frekuent të jetë, aq më mirë për atmosferën tonë politike dhe publike, që vazhdon të mbetet nën shi dhe temperatura të ulëta, duke e mbajtur ende larg pranverën. /Burimi: mapo.al/