Liroi 9 të arrestuar nga Policia e Shtetit, Tahiri i kërkon Nishanit “kokën” e gjyqtarit
Konflikti mes Presidentit dhe Qeverisë sa vjen ashpërsohet nga dita në ditë. Këtë radhë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i ka kërkuar Bujar Nishanit, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të marrë masa për gjyqtarët, të cilët sipas tij lirojnë kriminelë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.Sipas Tahirit, gjyqtari i gjykatës së Kavajës, Osman Aliu, në vazhdimësi ka dhënë vendime të kundraligjshme. Në letrën e tij Ministri radhit 9 vendime të gjyqtarit Aliu,të cilat janë prishur nga gjykata e Apelit. Madje shpesh Aliu i ka liruar në sallën e gjyqit të pandehurit.
Lirimi i një personi të akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur qëndron në krye të shkeljeve,sipas Ministrit Tahiri. Por abuzimet vazhdojnë më tej me lirimin e personave të akuzuar për kanosje,vjedhje apo drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt. Ky gjyqtar në vazhdimësi, sqaron Tahiri në letrën e tij, është bërë pengesë për punën e policisë së shtetit dhe kërkon marrjen e masave nga kryetari i KLD.“Vendimet absurde dhe shpeshherë haptazi të kundërligjshme të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësim serioz për Policinë e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz, që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze", shkruan Ministri Tahiri në letrën e tij.Letra i është drejtuar edhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, të cilit i kërkohet nisja e proçedimit displinor për gjykatësin Osman Aliu. Bashkëngjitur letrës së tij Ministri Tahiri ka dërguar edhe dosjen e plotë me materialet që vërtetojnë shkeljet nga ana e gjyqtarit dhe pret marrjen e masave për këtë shqetësim serioz, për mbarëvajtjen e punës së bluve të Kavajës.Në këtë listë përmenden 9 raste të evidentuara përgjatë muajve shkurt – mars 2014:• 5 SHKURT – Shtetasi Aleksandër Tafa, i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, për të cilin prokurori kishte kërkuar “Arrest me burg”, është liruar në sallën e gjyqit. Në 12 shkurt, Gjykata e Apelit e rikthen në qeli.• 6 SHKURT – Shtetasi Kujtim Shala, akuzuar për kanosje të punonjësve të CEZ dhe Policisë, për shkak të detyrës, prokurori kërkoi “Detyrim paraqitje”, gjyqtari e liroi në sallë pa masë.• 7 SHKURT – Shtetasi Fatjon Metushi, akuzuar për vjedhje, prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron pa asnjë masë dhe Gjykata e Apelit e rikthen të akuzuarin në burg nën masën e arrestit.• 25 SHKURT – Shtetasi Ermir Gjuzi, punonjës i Task Forcës së CEZ ka përvetësuar 1 mln lekë nga persona të ndryshëm në shpërdorim të detyrës. Gjyqtari nuk ka vendosur asnjë masë sigurie për të dhe nuk ka zbardhur ende vendimin, megjthëse ka detyrim që ta kryejë brenda 5 ditësh, duke penguar prokurorin t’a apelojë vendimin.• 16 MARS – ShtetasiMarsel Prifti, prokurori ka kërkuar “Detyrim paraqitje” për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, gjyqtari Aliu e ka liruar menjëherë nga salla e gjyqit pa asnjë masë sigurie.• 17 MARS– Shtetasi Nebi Hoxha, prokurori kërkon “Detyrim paraqitje” për dhunë në familje, gjyqtari Aliu e vlerëson ndalimin të paligjshëm, e liron në sallën e gjyqit, çështja është apeluar.• 17 MARS– Shtetasi Saimir Tatani, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron në sallën e gjyqit pa asnjë masë sigurie.• 20 MARS – Shtetasi Ardjan Almadhi, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, prokurori kërkon detyrim paraqitje, gjyqtari Aliu e liron në sallë pa asnjë masë.• 23 MARS–Shtetasi Kujtim Proshka, është liruar në sallën e gjyqit, ndërsa prokurori ka kërkuar “Arrest me burg”, pasi kundështoi forcat e policisë, u kap me armë luftarake dhe armë gjahu e municione pa leje. Gjyqtari nuk vendosi asnjë masë për të, e liroi në sallën e gjyqit.