Elektorat i majtë ose i djathtë si pasojë e taksës
Kriza ekonomike përtej efekteve negative që shkakton në disa sektorë të ekonomisë apo shtresave të caktuara sociale, nxit subjektet politike të mendojnë për zgjidhjet e mundshme karshi situatës. Pikërisht, instrumentet që ofrojnë subjektet politike për zgjidhje, mundësojnë diferencat doktrinare dhe ajo që është më e rëndësishme, sensibilizojnë kategoritë sociale që favorizohen nga implementimi i tyre. Kjo gjë ka ndodhur në njëfarë mënyre në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ku Partia Socialiste nisur nga situata makroekonomike gjykoi se disa masa me natyrë socialdemokrate mund t’i japin zgjidhje më të shpejtë dhe të efektshme situatës që po kalon vendi. Dhe jo vetëm kaq, por shkoi aq larg në pozicionim nga pikëpamja doktrinare saqë disa skeptikë e konsideruan si jo realist madje problematik zbatimin e saj. Në këtë shkrim nuk do të merrem me mundësitë ose jo të zbatimit të programit të PS, as me përllogaritjet e efekteve negative dhe pozitive që mund të sjellë zbatimi i tij, por me një aspekt tjetër, që e konsideroj shumë pozitiv. Orientimi i ligjërimit politik drejt doktrinave të majta dhe të djathta, si dhe nxitja e elektoratit për të menduar racionalisht mbi identitetin politik të cilit duhet t’i përkasë.Sigurisht, që edhe në zgjedhje të tjera politikat ekonomike dhe paketat fiskale në veçanti kanë qenë pjesë e programeve dhe diskutimeve gjatë fushatave elektorale, por në këto zgjedhje, ndoshta për shkak të situatës ekonomike, vëmendja ishte më e madhe se herë të tjera. Kështu që është PS-ja, e cila prezanton programin e saj, qartësisht të majtë duke detyruar në njëfarë mënyre edhe PD-në që të pozicionohet qartësisht djathtas. Pikërisht, pozicionimi i qartë i tyre nga pikëpamja doktrinare me prapavijë përfitimi elektoral orientoi disa kategori sociale që, nisur nga masa e përfitimit në rast zbatimi të këtyre politikave të përcaktojë votën e tij/saj. Njëkohësisht, vendosi piketat se ku do të orientohet debati në ditët në vazhdim.PS nuk u mjaftua me kaq, por në mars të këtij viti nënshkroi me FMN një marrëveshje, ku adresoheshin disa nga çështjet që qeveria duhet të ketë në konsideratë për të ulur borxhin publik në 60% deri në vitin 2018, nga 74% që është aktualisht. Dhe për ta mundësuar këtë gjë, i kërkohet që brenda një periudhe afatshkurtër dhe afatmesme të shikojë mundësinë e implementimit të disa taksave të reja mbi produktet e luksit, rritje të taksës së dividendit në 12%, vendosjen e taksës së sheshtë mbi udhëtimet jashtë etj. Duke e orientuar akoma më qartë drejt një qeverisjeje socialdemokrate dhe, ajo që është më e rëndësishme, duke nxjerrë në pah cilat kategori sociale do të përfitojnë akoma më shumë nga këto masa dhe kush do të penalizohet financiarisht.Kjo qasje e Partisë Socialiste karshi votuesit, përforcon akoma më shumë mundësitë e modelimit të një tipologjie votuesish racionalë, ku si bazë orientimi vote tashmë ka shkallën e përfitimit nga një sistem fiskal i caktuar. Sot, edhe ato kategori sociale që kanë votuar qeverinë nisur nga disa premisa që nuk kanë të bëjnë me aspektin ekonomik, në ditët në vazhdim ka probabilitet të lartë të bëhen më të vetëdijshme sa u kushton financiarisht mbështetja e një qeverisjeje të majtë apo të djathtë nesër.Ndoshta pas 23 viteve të pluralizmit politik është bërë e mundur që të kemi një strukturim më të qartë të shtresave sociale dhe kategorive sociale dhe ku është më i mundur kalkulimi i kostove politike që mund të shkaktojë një sistem fiskal duke iu referuar një modeli të majtë apo të djathtë. Dhe ajo që është më e rëndësishme, përfituesit ose të dëmtuarit nga të tilla politika fiskale kanë më shumë arsye të pozicionohen në favor të njërës apo tjetrës doktrinë, nisur nga sasia e parave që u mbeten në xhep në fund të muajit.Mesa duket, po futemi në një periudhë të re të raporteve parti politike – votues, dhe anasjelltas./Burimi: mapo.al/