Pushimi i çështjes, Mediu nuk pranon vendimin e gjykatës

Fatmir Mediu nuk pranon vendimin e Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të tij.Mbrojtësit ligjor të ish-ministrit të mbrojtjes, Mediu kërkuan vazhdimin e gjykimit të çështjes dhe për këtë qëllim paraqitën edhe kërkesën për vazhdimin e gjykimit bazohet në një vendimin nr.16 të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese.Sipas këtij vendimi, i cili është i detyrueshëm për tu zbatuar nga çdo hallkë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, personi ndaj të cilit është duke u zhvilluar një gjykim penal, ka të drejtën e përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe marrjen e një vendimi përfundimtar edhe në rastet kur vepra penale për të cilën ai akuzohet është amnistuar.Në një deklaratë për mediat,  avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu theksojnë se do të shfrytëzojnë çdo mjet ligjor për të mundësuar shqyrtimin përfundimtar të kësaj çështje."Z. Mediu dhe mbrojtësit e tij kanë bërë të gjitha përpjekjet dhe kanë përdorur të gjitha mjetet ligjore që ky shqyrtim të përfundonte shumë kohë më përpara edhe pse ka thuajse 2 vjet si proçes.  I bindur tërësisht në mungesën e përgjegjësisë penale dhe qënien i pafajshëm për çdo vepër të tillë, z. Mediu dhe mbrojtësit e tij ligjor do të shfrytëzojn çdo mjet ligjor për të mundësuar shqyrtimin përfundimtar të kësaj çështje, duke shpresuar se përdorimi i ulët politik i kësaj çështje do të marrë fund një ditë" thuhet në deklaratë.Ndërkohë Gjykata e Lartë vendosi pushimin e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të Fatmir Mediut për shkak se vepra penale për të cilën ai akuzohet është amnistuar.