Ftesa provokative ‘sy për sy’ e Ramës për Bashën
Sy më sy… kjo është shprehja që jo vetëm e ka zgjedhur me kujdes, jo vetëm e ka përsëritur me shkrim e me gojë, por duket se edhe e ekzalton më shumë Ramën në atë që është teksti i ftesës drejtuar Kryetarit të PD, Basha. Gjithçka, momenti i zgjedhur, mënyra e paraqitjes, përmbajtja e krejt tekstit, si dhe fraza thelbësore e tij, nuk janë asgjë më shumë se një provokim, një cytje tinëzare që vetëm për të qenë tërësisht e tillë, provokatore dhe tinëzare, emërtohet “ftesë”.Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb. Pavarësisht se Rama përdor vetëm gjysmën e parë të thënies së lashtë, pavarësisht se e quan ftesë për bashkëpunim, gjithçka, mjedisi politik, tensioni i lartë, sjellja ndaj opozitës, trysnia ndaj institucioneve të pavarura, qëndrimi ndaj administratës publike të kujtojnë edhe pjesën e dytë të thënies, atë me dhëmbë…Kjo thënie e vjetër ka shërbyer për të frymëzuar qëndresën, për të inkurajuar përplasjen (për të mos thënë luftën) dhe askush nuk e percepton, as kur shërbehet vetëm me gjysmën e saj të parë si ftesë për bashkëpunim.Nuk është aspak paragjykim, nuk është aspak paranojë dhe as mosbesim tipik prej opozitari në një vend si Shqipëria. Është pikërisht ajo që shohim të dëshmohet me këmbëngulje nga shumica në Kuvend që të detyron këtë gjykim. Përtej asaj çka nanuris cinikët, a mundet një mendje e qetë, e ftohtë dhe e largësuar nga qëndrimet politike të palëve të mendojë se në morinë e çështjeve politike, ku shumica dhe opozita po përplasen ashpër, në institucione dhe në ligjërimin publik, Rama paska zgjedhur pikërisht atë që do bënte që gjërat të prireshin nga e mbara? Jam i bindur që jo.Sot opozita dhe shoqëria shqiptare po provojnë një shumicë që po spastron administratën nga nëpunës që i gjykon si përkatësi politike e opozitës. Opozita shikon si dëbohen nëpunës të administratës që kanë bërë karrierë në periudhën e saj të qeverisjes, shoqëria shikon si shkërmoqet çdo vlerë që investohet në administratën publike vetëm nga interesi politik i shumicës. Provat e shumta na tregojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për të larguar ata që janë emëruar nga opozita e sotme. Janë të shumtë shembujt ku emërimet janë bërë qartazi me filozofinë e kapjes së shtetit. Kjo filozofi e shpjegon emërimin e një të akuzuari si prodhues ushqimesh të falsifikuara në Agjencinë që kontrollon pikërisht standardet e ushqimit. Shkurt, dikush nga pjesa e nëndheshme e fushës për të kontrolluar fushën.Kjo shumicë nuk e njeh vetëpërmbajtjen dhe shfaq padurim për institucionet që drejtohen nga të zgjedhur të opozitës. Nuk e duron Presidentin, nuk e duron drejtuesin e SHISH, nuk e duron dot, madje e shkarkon drejtuesen e ILDKP, nuk duron dot kryetaren e AMA-s, as bordin e AMFSHC, nuk duron dot deri edhe një Ambasador, vetëm e vetëm se është emërim i të djathtës. Shkurt, nuk duron dot kufizimet që i ka vënë Kushtetuta. Mandatet e këtyre institucioneve nuk janë rastësisht më të gjata se ai parlamentar. Janë të tilla pikërisht për të detyruar shumicat parlamentare që të bashkëjetojnë me të zgjedhur të shumicave të mëparshme. Urtësia e atyre që hartuan Kushtetutën kishte pikërisht këtë synim. Por, Rama dhe shumica që ai drejton, nuk e pranojnë Kushtetutën për aq sa ajo u kthehet në pengesë për pushtet të pakufishëm. Sot opozita dhe shoqëria shqiptare po provojnë kërcënimin e sistemit të sotëm kushtetues nga etja e shumicës për pushtet të pakufizuar.Edhe sikur të mos i merrnim fare në konsideratë tensionet politike të këtyre çështjeve thelbësore të demokracisë dhe funksionimit të shtetit të së drejtës dhe, me dëshirën e mirë të përqendrohemi tek reforma për ndarjen e re administrative, përsëri Rama është tinëzar dhe provokator. Mjafton të lexosh tekstin dhe është e qartë që Rama e fton opozitën të mbështesë arritjen e një objektivi të qeverisë, sic shprehet që në paragrafin e parë, jo në një reformë që nuk mund të bëhet pa mirëkuptim palësh. Për më tepër, nuk harron të kujtojë se shumica i ka votat e mjaftueshme për ta bërë vetë këtë reformë.Asgjë, as klima politike, as koha, as mënyra, as formalisht teksti i letrës së Ramës nuk pohojnë një ftesë. Ato vetëm sa të kujtojnë gjysmën e munguar të shprehjes “sy më sy dhe dhëmb për dhëmb”.Nuk ka asnjë rëndësi debati, nëse Basha duhet ta takojë “sy më sy” Ramën. Rëndësi ka që opozita për qëndrimet e saj politike, si dhe për detyrimin ndaj interesit të mbarë shoqërisë duhet të jetë e qartë, e drejtpërdrejtë dhe e vendosur. Derisa Rama dhe shumica që ai drejton të reflektojnë dhe të vetëdijesohen se kanë shumicë vetëm për të qeverisur dhe jo për të sunduar, derisa të kuptojnë se nuk mund të shesin konfliktin dhe provokimin për bashkëpunim, deri atëherë pra, për të mbrojtur ligjshmërinë, për të mbrojtur institucionet, për të mbrojtur vlerat e krijuara, për të mbrojtur interesat e qytetarëve, opozita duhet të jetë si deri më sot, ballë për ballë.Pak rëndësi ka nëse kjo do të ndodhë në tryezë bisedimesh, në Kuvend, në debat publik, apo edhe në rrugë; opozita do të jetë aty, siç edhe po e imponon Rama – sy për sy dhe dhëmb për dhëmb. /Burimi: mapo.al/