‘Xhihadi’ shqiptar në Siri na gjeti të papërgatitur: kë dhe pse

Ngjarja kryesore e ditëve të fundit është arrestimi i tetë shtetasve shqiptarë nën akuza që lidhen me organizimin, rekrutimin, stërvitjen dhe financimin e personave të tjerë, për t’i dërguar më pas ata në konfliktin sirian. E veçanta që e fokusoi këtë ngjarje në qendër të vëmendjes të opinionit publik është implikimi i njerëzve religjiozë që akuzohen se në ambientet e xhamive respektive predikojnë pjesëmarrjen në atë konflikt nisur nga motivime fetare. Vërtetësia e plotë ose e pjesshme apo rrëzimi i këtyre akuzave, pritet që të ndodhë në të ardhmen, sidoqoftë prania e disa dhjetëra shtetasve shqiptarë atje, si dhe rastet e të vrarëve mes tyre, shtrojnë pyetjen e arsyeve të pranisë në këtë konflikt. Shkaqet e mundshme që influencojnë në vendimin e shumë shqiptarëve që nisen për në Siri janë disa, por për të shkuar deri tek ato, kryefjala mediatike ku ia vlen të ndalemi sigurisht është ajo e “xhihadit”.Nuk është këtu mundësia për të analizuar termin “xhihad”, më të përfolurin si nxitësi i fenomenit të pjesëmarrjes së të huajve, mes tyre dhe shqiptarëve në konfliktin sirian, por shumëkush pohon se prania e tyre atje është produkt i idealizimit të këtij koncepti, i cili pak është trajtuar profesionalisht te ne, kjo edhe për shkak të konotacionit pezhorativ që ka përftuar termi dekadat e fundit. Duhet thënë se pas zërave të parë që informonin prezencën e shqiptarëve atje, shumica e teologëve dhe aktivistëve myslimanë janë pozicionuar kundër kësaj pjesëmarrjeje, duke e argumentuar kryesisht me analogjitë e trajtesave juridike klasike mbi luftën. Shfaqja e një fenomeni të tillë, risi për shoqërinë tonë, siç duket i ka gjetur të papërgatitur maksimalisht aktorët që mund të zbutin efektet e saj. Zëri i profesionistëve duhet të jetë më i fortë dhe më bindës për të analizuar teorikisht fenomene shoqërore që implikojnë religjionin, politikën, ekonominë dhe ligjin, të cilat në të ardhmen mund të paraqiten në trajta më komplekse dhe më kërcënuese sesa rasti në fjalë. Interpretimi ad litteram i konteksteve religjioze nga e kaluara historike e bashkësive të para të myslimanëve, dhe mbivendosja e tyre në realitetin sirian duket se ka motivuar mjaftueshëm për t’u përfshirë fizikisht në atë që së fundmi ka degjeneruar në një konflikt të përgjakshëm civil.Sociologët e fesë theksojnë se bota sot është në shumicën e rajoneve të saj më religjioze se kurrë më parë. Thënë këtë, duhet të njohim të gjitha trajtat e këtij rigjallërimi shpirtëror që në disa raste manifestohet në forma të ngurta. Dekadën e fundit, në disa vende myslimane konfliktet e ndryshme me karakter politik kanë marrë gjithashtu edhe ngjyresa sektare, ku idhtarë të bashkësive të ndryshme janë futur në spirale dhune të pandalshme. Këtu jemi dëshmitarë të dështimit të autoriteteve fetare, të cilëve situata u ka dalë nga kontrolli në favor të grupeve margjinale që interpretojnë fenë ngushtësisht për të maksimalizuar përfitimet politike. Pasojat e këtyre konflikteve ndërkohë kanë një impakt të gjerë në opinionin publik ndërkombëtar, saqë shpesh përtej një solidariteti me karakter humanitar që zbutin pasojat e konflikteve, implikojnë dhe përfshirjen emocionale të simpatizantëve në rreshtime militante.Në rastin e Shqipërisë, mund të theksojmë fort se nuk ka premisa për përplasje sektare, dhe se mes besimtarëve të feve të ndryshme, grupe potenciale që mund të minojnë bashkëjetesën mes feve janë të papërfillshme. Gjithsesi, në rastin e bashkësisë së myslimanëve, autoriteti fetar është ende i brishtë pas goditjes që pësuan komunitetet fetare gjatë diktaturës komuniste. Duke qenë se Islami nuk ka një autoritet ekstrakombëtar, përpjekjet vendore për ta ripërtërirë këtë autoritet kanë rezultuar të pamjaftueshme aq sa të shkërmoqin çdo interpretim sektar në dëm të bashkësisë së gjerë. Energjitë e titullarëve institucionalë më së tepërmi janë kanalizuar në shëndoshjen ekonomike të administratës dhe konsolidimit të saj burokratik, sesa ngjizjes së një fizionomie spirituale me karakter origjinal. Gjithashtu, bota akademike ende ka një alergji ndaj dijeve teologjike, të cilat do të ishin kontributore në pasurimin e jetës intelektuale në shoqërinë shqiptare, pasurim i cili do të amortizonte rrëshqitjet mediokre me pasoja konfliktuale.Sakaq për ekspertët ndërkombëtarë, jo cilido luftëtar i përfshirë në konfliktin sirian është një radikal potencial, i cili me kthimin e tij në vendin e origjinës do të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Etiketimi i tyre en bloc si radikalë dhe ekstremistë nuk do ta ndihmonte zbutjen e problemit, përkundrazi, do ta thellonte atë, duke e futur në një prizëm që më tepër përfshin panikun sesa arsyen e shëndoshë. Por nuk duhet përjashtuar asesi që individë të tillë mund të kthehen me axhenda ekstremiste apo që të jenë përfshirë në rrjetin e terrorizmit ndërkombëtar, i pranishëm mjaftueshëm në Siri. Në rastin e shqiptarëve të përfshirë në konfliktin sirian, ende nuk ka evidenca që individë të tillë të jenë radikalizuar me synim minimin e bashkëjetesës në vend, por autoritetet duhet ta evidentojnë ose jo këtë dimension të fenomenit në fjalë. Autoritetet, pas masës paraprake të parandalimit të përfshirjes në konfliktin sirian të të rinjve shqiptarë, duhet të ndjekin rast pas rastit cilindo prej tyre që kthehet në vend, dhe për ata që nuk janë përfshirë në aktivitete kriminale, me ndihmën e ekspertëve, duhet t’i përfshijnë në programe rehabilitimi. Trajtimi me gjakftohtësi i një realiteti sakaq kompleks do të ishte zgjidhja më e mirë dhe çarmatosja më efikase ndaj radikalizimit potencial të elementëve që popullojnë margjinat e shoqërisë shqiptare.*Autori mban diplomën Master për Kulturën dhe Religjionin në Mesdhe nga Universiteti Papnor Gregorian në Romë. /Burimi: mapo.al/