E qeshura dhe harresa

Nuk do të lexojmë autobiografinë e autorit, as historinë e lagjes së tij të vegjëlisë, ndoshta as ndonjë libër. Do të lexojmë siç lexohen termometri, sahati i ujit, tabelat rrugore, sytë e fëmijës. Autori rrëfen fëmijërinë e tij, por nuk e sheh botën me sytë e një fëmije. Djaloshi i djeshëm vetëm sa e shoqëron burrin e sotëm përdore në lagjen e dikurshme. I del dorëzanë për të përshkuar, dhe më pas përshkruar, një periudhë të historisë sonë mes viteve ’60 dhe ’70 të shekullit që lamë pas (dhe që na la pas). “Para se ta prishnim me rusin” e deri “para se ta prishnim me kinezin”. Këtë e bën duke e njohur me bashkëkohësit e tij, moshatarë apo të rritur, zogazias apo të “botëkuptimeve” të tjera. Jetë paralele, ose të kithëta, të dhëna jo në rrëfime lineare, por me kërcimet dhe luhatjet e “pesëminutëshave” të lavdisë së secilit, përballë jo vetëm pllaneve të lavdishme pesëvjeçare, por edhe ngjarjeve më të mëdha të globit dhe të historisë. Në Termopilet e atij pallati në formë L-je, treqind spartanë zogaziazë ndalin trimërisht hordhitë e panumërta armike të imagjinatës së tyre, sidomos duke u ndeshur mes veti në ca “singullare” të paharrueshme.Këta nuk janë djemtë e rrugës Pal, janë çunat e “Zogut të Zi”. Trazimet e moshës së brishtë nakatosen me trazimet e një epoke të dhunshme, sherret e kalamajve me luftën e klasave, ëndërrimet fëminore përplasen përditë me një realitet të shëmtuar nga një ëndërr kolektive. Shpëtimi i vetëm nga zymtia është humori i zi dhe te “Zogu i Zi” e qeshura na shpëton vërtet.Por ky libër nuk është për të qeshur. Ky është libër për të qeshurën dhe harresën, nëse perifrazojmë një titull të Kunderës. Tek “1984” e Orwell-it, kontrolli i së kaluarës nga Partia kryhet me anë të “përditësimit të përditshëm”, përshtatjes së të kaluarës me ortodoksinë aktuale, dhe detyrë e qytetarit që i ka përjetuar është që jo vetëm të pranojë se ngjarjet kanë ndodhur ashtu, por edhe “t’i kujtojë” si të tilla. “E nëse duhet vënë rregull në kujtesë, duke e ndrequr me dokumente të shkruara, më pas është e nevojshme të harrohet se kjo u bë”. Dhe e gjitha kjo çon në njëfarë të sotmeje ku “çdo dokument është shkatërruar apo falsifikuar, çdo libër është rishkruar, çdo pikturë është retushuar, çdo statujë, çdo rrugë, çdo ndërtesë kanë ndërruar emër, çdo datë është ndryshuar.”Edhe pasi rrëzohet, diktatura ka dy bashkëpunëtorë të papritur në modifikimin e së kaluarës dhe relativizimin e tmerreve të saj: harrimin dhe nostalgjinë. Përpiqemi të hapim sa më rrallë disa sirtarë kujtese ku gjenden dhimbje, turpe, vuajtje, zhgënjime, poshtërime (tonat apo të shkaktuara prej nesh). Është njerëzore, na ndihmon të shohim përpara. Edhe më shumë njerëzore është ajo stolisje e trëndafiltë e së shkuarës kur kthejmë kokën të shikojmë jetën tonë. Në të kaluarën kemi qenë më të rinj.Por këto gjymtime të kujtesave individuale sjellin një histori të rreme kolektive, e cila do të tingëllojë si përrallë dhe do të përgjumë ndërgjegjen dhe arsyen e brezit të nesërm, dhe ky është gjumi që pjell monstra.Për të shmangur këtë, nevojitet një përpjekje e secilit me kujtesën dhe ndërgjegjen e tij. Më tepër se për të vërtetën, kjo është përpjekje për identitet. David Hume na mëson se identiteti prodhohet kryesisht nga kujtesa. Me të arrijmë të kapim marrëdhëniet shkak-pasojë, të cilat përbëjnë unin dhe veten e secilit. Ndërsa për rrethanat dhe ngjarjet e harruara, kujtesa “nuk e prodhon, por e zbulon identitetin personal”. Prej vitesh profesor Pango, në leksionet e tij mbi psikologjinë sociale, ka zbuluar shembuj dhe raste nga përvojat e tij. Episode dhe tipa të veçantë i ngacmonin kujtesën. Në fillim ishin anekdota dhe “qyfyre” nëpër biseda, pastaj shtjella e këtyre kujtimeve nisi të bëhej më e vrullshme, asosacionet tërhiqnin në sipërfaqe copëza të harruara, gjersa mbërritëm në këtë vorbull përthithëse me qindra personazhe dhe ngjarje nga lagjja e tij e fëminisë. Dhe ndiejmë se kjo vorbull, në të vërtetë, përbën boshtin e tij identitar. Ndiejmë, gjithashtu, të njëjtën shpoti’ që autori na bënte në librin “VIP”: “që të mos kujtosh se je dikush (ose askush), përpiqu të kujtosh”.Është zbavitëse për këdo të gjendet befas i thithur nga kjo shtjellë njerëzore, me përjetimet dhe privimet e saj, me emrat dhe nofkat, me bëmat dhe të pabërat, me virtytet dhe veset e një faune të harruar e të çuditshme, e prapë kaq të ngjashme me ne. E shpesh jemi ne, me pseudonime. Por akoma më rëndësi, te kjo prozë e rrëmbyeshme, ka ndjellja që na jep për të krijuar një vorbull të tillë tonën, e për të rithithur kujtimet që na kanë braktisur apo i kemi braktisur, për të parë sërish ato fytyra, të cilat, duke i parë dhe duke na parë dikur, na dhanë pamjen që kemi sot, thinjat, vragat, rrudhat, mënyrën si qeshim apo si dëshpërohemi, si habitemi apo neveritemi. Identiteti ynë ka nevojë për këtë, më tepër sesa për pasqyrën. Mund të shihemi si Narcisi në pellgun e kujtimeve tona, ose të kridhemi herë pas here në atë pellg e të shihemi aty siç jemi në të vërtetë, në natyrën tonë të dyfishtë si njerëz dhe si valë.*parathënia e librit ‘Zogu i Zi’ me autor Ylli Pangon /Burimi: mapo.al/