“UMB - volley” dhe “Studenti” fitojnë “Kupa Tirana 400 vjet” në volejboll për meshkuj dhe femra
Aktivitetet për 400 vjetorin e themelimit të Tiranës, Bashkia e kryeqytetit i ka shtrirë edhe në fushën e sportit. I tillë ishte edhe "Kupa Tirana 400 vjet" në volejboll për meshkuj e femra, ku fitues dolën ekipi i “Studentit” për meshkuj dhe “UMB Volley” për femra.Finalet i ndoqi nga afër edhe kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili për hir të pasionit të vjetër për volejbollin kishte hequr kostumin e zyrtarit.“Urime kampionëve! Ndeshjet ishin jashtëzakonisht kompetitive, na falën shumë emocione, kaq shumë emocione saqë tifozët fanatikë të Barçës dhe të Realit janë akoma këtu në sallë për shkak të emocioneve që fali ky kampionat.Nga përvoja ime si ish-volejbollist mund të them se të paktën në fushën e volejbollit, evolucioni po e bënë punën e vet. Ky brez është shumë më i avancuar, shumë më i talentuar, shumë më europianë, në standardet e sportit sesa brezi paraardhës, por nuk do të harrojmë asnjëherë virtuozitetin me të cilin u ngrit tradita e volejbollit në Shqipëri, veçanërisht në një moment si ky ku kremtojnë historinë, kremtojnë 400 vjetorin e Tiranës qytet, e Tiranës në statusin e qytetit dhe në këtë kuadër u jam shumë mirënjohës organizatorëve dhe sponsorëve që krahas organizmit të kampionatit kanë vendosur të nderojnë edhe figurat e shquara të volejbollit shqiptar.Unë mendoj se nderimi më i madh për figurat e shquara të volejbollit shqiptar është talenti, forca dhe energjia e këtyre kampionëve dhe gjithë atyre që morën pjesë. Urime për fitoren, urime për titujt e gëzuar”-u shpreh Basha.Kupën ekipit “UMB - Volley” ia dorëzoi presidenti i Federatës, Adrian Doçi. Kupën për fitues në volejboll për meshkuj ekipi “Studenti” ia dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.Në këtë ceremoni u shpërndanë dhe pllakata mirënjohje për figura të shquara të volejbollit të Sport Klub “Tirana” si: Fatmir Meka, Pëllumb Pelivani, Qemal Gjinali, Asllan Toptani, Bilal Fuga, Ismail Maloku, Shefqet Kau, Vera Vërria, Zana Vako dhe Farie Hoti.