Luftë për SHISH,Tahiri: Presidenti i njëanshëm; Nishani: Shmang konfliktin verbal

Maxhoranca nëpërmjet vetë Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dorëzuar në Presidencë një dosje me emrin "Visho Ajazi", e cila pritet të jetë edhe pikënisja e proçedurave zyrtare për shkarkimin e Kreut të SHISH.“E pashë me vend t’i kërkoja Presidentit të Republikës mundësinë për të parë dhe një herë atë që kemi thënë edhe në publik lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit.Gjykoj që brenda kornizës institucionale dhe brenda detyrimeve kushtetuese, jemi dënuar të gjithë bashkë t’i përkushtohemi të vërtetës. Ndaj e pashë me vënd t’i bëja me dije Presidentit të Republikës të vërtetën, veçanërisht pas deklaratave të tij të fundit. Do të ishte e udhës që Presidenti i Republikës të rrinte mbi palët dhe të nxiste bashkëpunimin institucional, gjykoj që në të gjitha rastet do ishte më e shëndoshë që Presidenti i Republikës të moderonte bashkëpunimin ndërmjet instucioneve, sesa duke neglizhuar të vërtetën të mbante një palë, cilado qoftë kjo” tha ai.Në dalje të zyrës së Kreut të Shtetit, Ministri Tahiri ka folur disa herë për të vërteta dhe se sa larg sipas tij kësaj të vërtete është Presidenti.“Unë ju siguroj që informacionin e plotë ja dhashë Presidentit të Republikës, informacion shkresor, një dosje të plotë, të cilën unë besoj, në rast se ka vullnet dhe nuk kam arsye t’a dyshoj, Presidenti i Republikës do t’a shohë që e vërteta shkresore, komunikimi institucional është larg nga deklaratat që Presidenti ka bërë.Kam informuar Komisionin Parlamentar të Sigurisë lidhur me të vërtetën, sepse unë besoj që përkushtimi ynë ndaj të vërtetës, edhe kur bëhet fjalë për bashkëpunimin institucional, aq më tepër pastaj në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, na vë ne të gjithë në pozita për të pasur më shumë sukses përballë qytetarëve” theksoi Tahiri.Ministri Tahiri dhe presidenti Nishani u takuan me kërkesë të përfaqësuesit qeveritar dhe për rreth 1 orë kanë biseduar për çeshtjen SHISH, por që për shefin e rendit nuk mund të jenë pjesë e konsumit publik.“E kam të pamundur t’ju bëj me dije thelbin e bisedës që bëra me Presidentin e Republikës. Ma do mendja që qytetarët presin prej nesh, rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit.Ne jemi në krye të detyrës, qeveria është në krye të detyrës për të bërë gjithçka është e mundur për të garantuar siguri dhe progres.Në të gjitha rastet, unë mund t’ju garantoj që standardi ynë, i Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit do të jetë shumë herë më lart nga rezultatet që kemi pasur deri më sot dhe që deri dje për ju ishin të paimagjinueshme”përfundoi Tahiri.Pak kohë më parë pati një shigjetim nga Tahiri në adresë të SHISH për mosinformim për rastet e tritolit dhe një reagim po kritik të Presidentit ndaj Ministrit dhe ky takim sigurisht që ka qenë një mundësi e mirë për ti sheshuar, ose për ti ndezur më shumë marëdhëniet e acaruara mes shumicës dhe Kreut të Shtetit.Pak minuta pas sulmeve të drejtëpërdrejta të Ministrit Tahiri ka ardhur edhe kundërpërgjigjia e Presidentit Nishani. Në një deklaratë të shkurtër në faqen zyrtare Kreu i Shtetit porositi Ministrin e Brëndshëm që të shmangë konfliktet verbale me institucionet.Sipas deklaratës së Presidencës Ministri i Brendshëm i paraqiti Presidentit të Republikës disa pretendime në lidhje me bashkëpunimin institucional në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar."Presidenti i Republikës, pasi e vlerësoi si me rëndësi prioritare bashkëpunimin dhe besimin ndërinstitucional, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, e këshilloi Ministrin e Brendshëm të evitojë konfliktin verbal me institucionet, veçanërisht në kontekstin e angazhimeve ligjzbatuese", thuhet në njoftim.Presidenti i Republikës sugjeroi gjatë këtij takimi që angazhimet dhe kontributet e rëndësishme të institucioneve kushtetuese të vendit në fushën e sigurisë të vlerësohen dhe shfrytëzohen maksimalisht nga ana e Policisë së Shtetit, në interes të objektivit të përbashkët në luftën ndaj krimit dhe trafiqeve.