Arrestimet e besimtarëve për terrorizëm, Ministri i Emirateve: Dënojmë çdo thirrje për luftë
Ministri i jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Al Nahyan e ka cilësuar si të gabuar rekrutimin e njerëzve dhe dërgimin e tyre për të luftuar në Siri.I pyetur në lidhje me arrestimin e 7 myslimanëve dy ditë më parë, ministri i jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe theksoi se të gjitha vendet duhet të bashkohen për të sensibilizuar të rinjtë të mos bëhen pjesë e këtij fenomeni.
“Nxitja e një fenomeni të tillë është krejtësisht e gabuar. Vetë populli sirian kërkon që luftëtarët e huaj të dalin nga territori i Sirisë. Është mëse e nevojshme që të parandalohet fenomeni të dërgimit të personave për të luftuar në Siri dhe të angazhohemi të gjithë së bashku që rinia të mos bjerë pre, të luftojmë nga ana ideoligjike këtë fenomen të tillë. Është mëse e nevojshme që të gjithë të kenë një pjesë konkrete në sensibilizimin e opinionit publik. Fatkeqësisht gjejmë në këtë kohë ekzistencën e disa shteteve që nxisin dhe promovojmë dërgimin dhe infiltrimin në organizatat ekstremiste” tha ai.Ndërsa ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati u shpreh se qeveria shqiptare është e vendosur për të luftuar terrorizmin. Ai vlerësoi operacionin e zhvilluar nga policia e shtetit duke theksuar se kjo është një provë që Shqipëria ka ecur përpara në fushën e së drejtës.
“Ne diskutuam sot edhe për këto fenomene dhe për një politikë sa më izoluese ndaj shteteve të caktuara apo ndaj segementeve periferike të botës të cilat nxisin terrorizmin. Qeveria shqiptare ka dëshmuar një vullnet të qartë politik për ta luft uar këtë fenomen. Aleanca jonë me partnerin tonë strategjik SHBA-në, anëtarësimi në NATO na obligon që ta luftojmë në mënyrë të pamëshirshme këtë fenomen. Fakti që kjo celulë është zbuluar tregon për shkallën e nivelit të lartë të policisë së shtetit dhe unë gjer rastin të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion jashtëzakonisht të ndërlikuar. Dhe i shoh si provë të suksesit dhe si provë të forcës sonë goditëse ndaj kësaj veprimtarie jashtëzakonisht të dëmshme që nuk mund të parandalohet apo goditet vetëm nëpërmjet mekanizmave ligjorë por duhet të goditet me të gjitha frontet dhe këtu policia e shtetit ka qënë në lartësinë e duhur duke i dhënë një provë qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë që Shqipëria ka bërë hapa përpara në fushën e sundimit të së drejtës" tha Bushati.Sa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e ekonomisë, ministri Bushati u shpreh se tërheqja e investimeve arabe është një sfidë për qeverinë shqiptare."Për ta bërë këtë duhet edhe veprim i konkretizuar në letër siç është edhe marrëveshja që firmosëm sot që do të lehtësojë prezencën e Emirateve të Bashkuara në Shqipëri. Kemi diskutuar për çështje që kanë potenciale për dy vendet. Marrëdhënie e bashkëpunimit ekonomik do të jetë mjaft e thelluar në fushën e energjisë, në fushën e transportit dhe infrastrukturës, në fushën e turizmit, në ato fusha kur Shqipëria ka avantazhe në krahasim me vendet e tjera dhe do ti jepnin Shqipërisë një pozicion avantazhues në rajon” u shpreh Bushati.