Reduktimi i aksidenteve,Tahiri e Haxhinasto marrëveshje me sigurimet
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri është shprehur se Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore.“Është e tepërt t’a përsëris, por renditemi ndër vendet me përqindjen më të lartë për numër banorësh, për numër makinash, duke marrë parasysh gjithë treguesit, renditemi ndër vendet që kemi kaos në rrugë dhe më shumë pasoja për rrjedhojë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Qeveria, e ne posaçërisht, kemi bërë të mundur në këto 5 muaj, që të kursejmë jetë njerëzish, duke ulur gati 20 % fatalitetet në rrugë. Por ne jemi shumë të bindur, dhe tashmë bashkëpunimi me operatorët privatë në tregun e sigurimeve përbën një element të shtuar, ndaj jemi shumë të bindur që potenciali për të ulur numrin e aksidenteve dhe rrjedhimisht pajosat fatale për jetën e njeriut, është këtu. Ndërkohë ne jemi të bindur që nuk mjaftojnë vetëm masat represive, ose masat e sanksionit, ndaj drejtuesve të mjeteve per të disiplinuar çështjen e qarkullimit rrugor, apo për të ulur numrin e aksidenteve dhe pasojave fatale ose të rënda për shëndetin e njeriut”tha Tahiri.Ndërsa Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto garantoi se do të ndërhyhet në akset më problematike rrugore për përmirësimin e tyre, ose siç i cilësoi ai në "pikat e zeza".“Nëpërmjet kësaj marrëveshje do të realizohet sigurimi i të gjithë përdoruesve të automjeteve, përpara regjistrimit të automjeteve në sistemin tonë nëpër drejtoritë e shërbimeve të transportit. Kjo sigurisht do të ketë një rritje të rregullsisë edhe vetë proçesit të koluadimit të automjeteve, proçesit të regjistrimit të automjeteve duke e stabilizuar sistemin tonë të transportit duke e sjellur atë në parametra shumë të lartë, në parametra europiane gjë e cila do të reflektohet pastaj edhe në një siguri shumë më të madhe pasi e përsëris ky është qëllimi madhor që ne kemi në të gjithë reformat tona që do të bëjmë në fushën e transportit. Kështu që kjo marrëveshje mbetet për tu zgjeruar më tej me shërbime të tjera që ne do te realizojmë besoj me shoqërit e sigurimeve me qëllim që Shqipëria të ketë një nga sistemet më moderne për sa i takon monitorimit të transportit, realizimit të shërbimeve të transportit por dhe nga sistemet më të sigurta për qytetarët pasi në fund të fundit e gjithë reforma që realizojmë është në funksion dhe në përfitim të qytetarëve të këtij vendi” theksoi Haxhinasto.Sakaq Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Brendshme si dhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare dhe Byrosë Shqiptare të Sigurimeve nënashkruan një memorandum bashkëpunimi, për minimizimin e numrit të aksidenteve rrugore në vend.Ndërkohë Ministritë respektive kërkuan bahkëpunim gjithëpërfshirës, të jo vetëm institucioneve ligjzbatuese, por edhe të shoqërisë civile.)