Strategji zhvillimi apo korrigjim i një politike ekonomike
Qeveria ka marrë vendimin që të falë gjobat ndaj bizneseve të vendosura nga administrata ‘Berisha’ për periudhën mars-gusht 2013, me pretendimin se ato gjoba ishin të motivuara politikisht. Por pyetja lind se, nëse gjobat ishin të motivuara politikisht, a nuk është po aq politik vendimi për faljen e tyre nga qeveritarët e rinj, në një kohë kur asnjë institucion gjykues i pavarur nuk ka folur? Sipas ministrit të Ekonomisë, Ahmetaj, vlera e gjobave abuzive në këtë periudhë arrin në 30 milionë dollarë. Pa sqaruar se në cilat qytete është abuzuar më shumë, cilët sektorë kanë qenë më të goditur, kush pushtetar apo taksidar ka shkaktuar dëmin më të madh dhe çfarë masash konkrete do të merren për të eliminuar përsëritje të saj në të ardhmen. Biznesi vendas u detyrohet tatimeve afërsisht 700 milionë dollarë sipas qeverisë, duke e futur marrëdhënien shtet-biznes në paragjykim të përhershëm deri sa llogaria mes tyre të pastrohet. Por si rasti i amnistisë fiskale në vitin 2010, ashtu dhe ky rast i faljes së gjobave, janë sinjale që interpretohen nga biznesi. Ndaj, teksa pushteti dhe sjellja abuzuese e taksidarëve në Shqipëri nuk mundet të mohohet, falja e gjobave nga qeveria nuk është shenjë e rikthimit të legjitimitetit të shtetit karshi biznesit, por e kundërta.Së dyti, po rikthehet në një ritual të panevojshëm institucional dalja e përmuajshme para publikut e drejtueseve të drejtorive të Doganave dhe të Tatimeve, duke treguar për arritje dhe tejkalime të planeve. Në fakt, mbledhja e parasë nuk duhet të jetë lajm për qytetarët, pasi gjithsesi atyre po iu merret kjo sasi parash. Publiku do ishte më i qartë në rast se qeveria apo kryeministri do të dilte para tyre çdo muaj e të sqaronte se çfarë projektesh të reja ka ndërmend të realizojë me këto para të tepërta që ka në arkë. Kjo strategji e komunikimit publik duhet të ndërpritet sidomos kur INSTAT tregon për rënie të ekonomisë dhe rritje të papunësisë, duke e bërë “pasurimin” e shtetit të duket paradoksal. Paradoksi vërehet edhe më shumë kur qeveria planifikon të rrisë borxhin nga jashtë, në një kohë kur kryeministri shprehet kundër projekteve të reja infrastrukturore.Së treti, po ritheksohet rëndësia e industrisë fason për ekonominë tonë dhe për nevojën e zgjerimit të saj. Por sipas përfaqësuesve të kësaj industrie, fitimi vjetor i saj nuk i kalon 4 milionë euro. Në rast se kjo është e vërtetë, atëherë qeveria shqiptare në vend që të vazhdojë të mbështesë këtë industri, ndoshta duhet të rimendojë në strategjinë e saj afatgjatë se si mund të çlirojë këtë forcë punëtore për t’u angazhuar në fusha të tjera ekonomike akoma më produktive. Dihet që kjo industri deri tani ka shërbyer si një rrjetë sociale për më shumë se 100 mijë qytetarë shqiptarë, të cilët, fatkeqësisht nuk paguhen më shumë se 170 euro në muaj. Aq paga të ulëta paguan kjo industri sa kur qeveria e mëparshme e rriti pagën minimale në 22 mijë lekë, ata u shqetësuan se do të humbisnin konkurrueshmërinë rajonale. Ndërkohë qeveria ka deklaruar se për t’i ardhur në ndihmë kësaj industrie, do të rishohë dhe një herë nivelin e tatim-fitimit të vendosur vetëm para dy muajsh në 15%. Kjo masë do ta rivendosë në të njëjtat kushte si më parë këtë industri; kjo nuk është strategji zhvillimi, por korrigjim i një politike ekonomike.*Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike. /Burimi: mapo.al/