Komuniteti PAK: Mungon aksesi në drejtësi; Naço premton: Do jem avokati juaj
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, u premtoi sot personave me aftësi të kufizuar se do të jetë avokati i tyre. Duke folur gjatë firmosjes së një memorandumi bashkëpunimi për aksesin në drejtësi, Naco garantoi se kjo kategori ëhstë në vëmendje të qeverisë dhe Ministrisë që ai drejton.“Ministria e drejtësisë është e hapur për bashkëpunimin në këtë drejtim. Para dy muajsh ne kemi ulur tarifat për gjithë shtresat e vendit, dhe për ju do të ketë lehtësira të tjera”, tha ministri Naço.Edhe Zëvendëskryetari i KLD-së, Elvis Çefa, siguroi të pranishmit se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i angazhuar seriozisht në përmbushjen e pjesës së tij të përgjegjësisë në mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë të aksesit në drejtësi nga të gjithë, si një kërkesë themelore për procesin e integrimit të vendit në BE."Gjykata duhet të ketë përgjegjësinë për të luajtur rol pro-aktiv për të siguruar mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore. Gjykata duhet të jetë shumë sensitive sidomos në ato raste të cilësive të veçanta fizike të njërës palë. Ajo duhet të jetë garanti i respektimit të ët drejtave të tyre Kushtetuese. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është krejtësisht i vetëdijshëm se ai pikësëpari duhet të bëjë maksimumin e mundshëm për të siguruar nivelin e duhur të administrimit të drejtësisë ndaj kësaj kategorie. Përmirësimi i këtij principi vital të shtetit të së drejtës është një element thelbësor për të bërë të mundur që edhe kjo kategori qytetarësh të fitoje besimin tek sistemi gjyqësor"tha ai.Kreu i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafaj, tha se aksesi i këtyre personave në sistemin e drejtësisë është me rëndësi.Memorandumi i bashkëpunimit me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë u nënshkrua nga Ministri i Drejtësisë, Zëvendëskryetari i KLD-së, Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.Qëllimi i memorandumit ёshtë vendosja e bazave tё bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë nё kuadër tё realizimit tё projektit "Partneritet për Ndryshim: Institucionalizimi i aksesit nё drejtësi për personat me aftёsi tё kufizuar nё Shqipëri".