Nikolla prezanton rektorin e ri të Universitetit të Mjekësisë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, prezantoi në ambientet e Universitetit të Mjekësisë, rektorin e ri të këtij universiteti, Prof. Dr. Ali Refatllari.Duke falënderuar dhe njëkohësisht vlerësuar punën dhe rolin e rektores së mëparshme të këtij universiteti, Jera Kruja, ministrja Nikolla shprehu besimin se rektori i ri do të mundësojë një impuls të ri të punës në Universitetin e Mjeksisë.Nikolla theksoi se ky universitet prej moshës së re shoqërohet me problematikat e rritjes, ndaj në këtë kuadër ministrja garantoi gjithë mbështetjen e MAS-it ndaj nevojave që ky institucion i arsimit të lartë ka.Në fjalën e saj, Ministrja evidentoi qartazi se sfida më e madhe në arsimin e lartë është cilësia, që sigurisht përfshin dhe Universitetin e Mjekësisë.Nikolla u shpreh e bindur se rekomandimet që do të vinë nga Komisioni i Pavarur për Reformën në Arsimin e Lartë, do të kenë parasysh dhe domosdoshmërinë e përmirësimit cilësor të përgatitjes së kuadrove të shërbimit mjeksor, si një domosdoshmëri dhe nevojë që vjen nga kërkesat e tregut.