Zoto: Burgu i Drenovës, model sa i përket masave

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi sot një vizitë me objekt monitorimin e IEVP Korçë, Drenovë, pas ndryshimit të skemave të sigurisë së tij dhe diskutimin mbi prioritetet e punës së DPB përgjatë vitit 2014.Të pranishëm në këtë takim ishin drejtuesit e të gjitha IEVPenale të vendit, të cilët përgjatë pothuajse tre orëve kanë diskutuar dhe më pas, vizituar institucionin e sigurisë së lartë në juglindje të vendit.I pranishëm në këtë takim ishte Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, i cili në fjalën e tij theksoi nevojën e shembujve të tillë, të krahasueshëm me standarded europiane.“Qëllimi i këtij takimi është që të shihen nga afër ndryshimet në IEVP Korçë, që lidhen me rritjen e masave të sigurisë, si një prioritet i punës së DPB dhe vetë drejtorisë së këtij institucioni pas ngjarjes së arratisjes së disa të burgosurve nga ky institucion në nëntor 2013. Arritjet janë të prekshme në sistemin e burgjeve në tërësi, por kjo nuk duhet të na bëjë të mos kërkojmë për më shumë. Përkundrazi, synimi është që të krahasohemi për nga standardet me institucionet penale homologe jashtë vendit”- u shpreh Zoto.Ndërsa Drejtori i IEVP Korçë, Filip Ulndreaj, në prezantimin e nismave të reja në këtë institucion tha se prioritet i është dhënë sigurisë së institucionit me anë të masave të fundit që ka marrë kjo drejtori.“Arritja kryesore që do të nënvizoja në këtë takim, përshtatja e skemave të sigurisë në zbatim të urdhrave të nxjerra së fundmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe implementimin e tyre direkt në institucionin tonë. Theksoj se me mjaft rëndësi është bashkëpunimi dhe mbështetja e ofruar nga institucionet lokale, Gjykata e Rrethit, Prokuroria, Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, Bashkia Korçë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror”- u shpreh Ulndreaj.Takimi u zhvillua sipas një axhende, e cila përfshinte paraqitjen e situatës aktuale të sigurisë në IEVP Korçë, puna e bërë gjatë vitit 2013 në sektorin social me terapi të ndryshme dhe programe edukimi për të dvnuarit, paraqitja e objektivave të punës së DPB për vitin 2014, si dhe diskutime të ndryshme.Të pranishëm në aktivitet ishin edhe drejtues në nivel lokal dhe përfaqësues të lartë të rrethit të Korçës, si Kryetari i Gjykatës së Rrethit, Admir Belishta,Nënkryetari i Bashkisë, Stefan Gërmenji, Drejtori i Policisë së Qarkut, Edmond Targaj, Prokurori i Rrethit, Alket Mersini dhe Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror të Korçës, Edmond Mulaj.Në fjalën e tyre përshëndetëse gjatë takimit, të ftuarit theksuan, se niveli i bashkëpunimit me Drejtorinë e IEVP Korçë ka qenë e ngushtë dhe reciproke. Pasi përgëzuan rritjen e masave të sigurisë dhe arritjen e kushteve optimale në këtë institucion, të ftuarit dhe drejtuesit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale zhvilluan bashkërisht një vizitë në regjimin e brendshëm të institucionit.Të drejtuar nga Drejtori Zoto, ata panë nga afër cilësitë që ofron ky institucion në kushtet e jetesës së të dënuarve, ku është zgjidhur problemi i kahershëm i ngrohjes. Drejtori Zoto takoi nga afër dhe bisedoi me të dënuarit, për të marrë drejtpërdrejtë kërkesat dhe mendimet e tyre për kushtet në këtë institucion.Ky model vizitash monitoruese do të zbatohet edhe në institucione të tjera penale në vazhdimësi, si një mënyrë për të ndërthurur sa më mirë punën e IEVPenale dhe për të mësuar nga praktikat e mira të çdo institucioni.