Rama mohon PO-në për armët kimike: “Heshtja e dyfishtë” e imponuar

Rreth 4 muaj pasi Shqipëria i tha ‘JO’ kërkesës së SHBA për të shkatërruar armët kimike siriane, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta si dhe Ministrat Kodheli e Bushati kanë kthyer në vëmendje atë periudhë, jo të lehtë për ta.Pjesmarrës në promovimin e librit "Heshtja e Dyfishtë" te gazetarit Karlo Bolino, ata kanë zbuluar prapaskena dhe situatat në të cilat i vuri kërkesa e Uashingtonit. Vetë autori i librit ka shpjeguar pse titullohet "Heshtja e Dyfishtë" ."Në 30 tetor shqiptarët morën vesh një propozim të tillë. Pas kësaj reagoi shoqëria civile. Ka pasur pak informacione, por shumë frikë për rrezikun që mendohej se mund të sillnin këto lëndë. Gjithçka u shoqërua nga një element që është edhe në titull “heshtja e protagonistëve kryesore”. Pati një heshtje diplomatike, ushtarake, etj. Por pas kësaj u rrit shqetësimi te qytetarët. Libri titullohet “Heshtja e dyfishtë”. Unë zbulova se nuk ishte vetëm pala qeveritare që kishte heshtur. Ka patur heshtje edhe nga ana e negociatorëve amerikanë. Nuk ka pasur një qëndrim zyrtar nga ana e Departamentit të Shtetit.Unë kam përmendur edhe heshtjen e opozitës, e cila ndoshta ishte në dijeni të këtij propozimi, që në fund të shtatorit. Heshtja ka vazhduar nga opozita, deri 3 ditë para refuzimit të lëndëve kimike të Sirisë në Shqipëri”, u shpreh gazetari Carlo Bollino.Ndërsa Kryeministri Rama tha se kjo heshtje e dyfishte ka qene e imponuar.“Heshtja e dyfishtë ka qenë e imponuar nga fakti se nuk ka patur një vendim. Sepse po të kishte një vendim e gjitha do t'i prezantohej publikut, më tutje parlamentit e kështu me radhë. Për sa kohë që vetë ne ishim njerëzit që diskutonim intensivisht nuk e kishim një vendim çfarë do na duhej të thoshim. Çështja ishte kaq delikate në kushtet kur ne vetë nuk kishim marrë për të komunikuar me publikun, ky vendim do ta komprometonte plotësisht ngjarjen. Ne ishim shumë të vegjël për të qenë vetëm në mes të dy fuqive të mëdha ndërkohë që vendet e tjera nuk ishin rrotull", tha kryeministri Rama.Per kreun e Kuvendit, Ilir Meta, opozita ka qenë "viktima" e keqkuptimit per armët kimike.“U krijua një situatë që nuk kishte asnjë lidhje me atë që po ndodhte. Opozita dhe vetë zoti. Berisha ka qenë aktori më i keqkuptuar dhe me një bindje të verbër se gjithçka kishte mbaruar se vendimi ishte marrë, sepse Kryeministri duhet të kthehej në vend. Jam ulur pranë tij për t'i thënë që nuk mund të merret dhe fjala juaj dhe e opozitës, sepse vendimi do merret në parlament. Por ai tha se vendimi ishte marrë dhe më tha se as ti nuk di gjë!!! Opozita ishte e keqkuptuara më e madhe e gjithë kësaj situate, madje dhe “viktima” e këtij keqkuptimi, për fat të keq me atë dëshirën e vet për të konfrontuar qeverinë me popullin e vet. Berisha kishte një bindje se vendimi ishte marrë, se populli shqiptar do ishte viktimë. Mendoj se ishte dhe një dëshirë e tij, sepse nuk do të ishte keq që të vinin lëndët që ai të thoshte që ja kjo qeveri solli armët, do të vrasë bijtë e Shqipërisë, etj”tha Meta.Të pranishëm në ceremoninë e promovimit të librit kanë qënë dhe ambientalistët, ata që udhëhoqën protestat kundër armëve kimike.)