Takimi i 42-të i PABSEC, Dokle: Intensifikim të bashkëpunimit ekonomik

Nën kujdesin e veçantë të Kuvendit të Shqipërisë u mbajt sot takimi i 42-të i Komisionit për Çështjet Ekonomike, Tregtare, Teknologjike dhe Mjedisore të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), në të cilin morën pjesë delegacione nga Turqia, Gjeorgjia, Moldavia, Azerbajxhan, Shqipëria, Greqia, Rusia, Bullgaria, dhe Armenia.Me këtë rast konferencën e përshëndeti, Musa Guliyev, Kryetar i Komisionit (PABSEC), i cili tha se ndërtimi është një degë shumë e ndjeshme e ekonomisë dhe tendencat e kësaj infrastrukture janë gjithmonë në rritje. Materialet që duhet të aplikohen në këtë fushë janë shumë domethënëse për të rritur tempet e zhvillimit të një vendi, i cili zhvillohet në mënyrë tepër dinamike, sidomos në territoret e vendeve tona.“Në mbledhjen e 41-të për Çështje Ekologjike, Ekonomike dhe Tregtare e mbajtur në Ganxha ,në shtator të vitit të kaluar për herë të parë u shqyrtua çështja e aplikimit ose e futjes të teknologjisë moderne në ndërtim dhe arkitekturë në vendet e BSEC” , tha Guliyev.Gjatë mbledhjes së tij, Komisioni diskutoi rreth raportit “Futja e teknologjive të reja në ndërtimet moderne dhe arkitekturën e shteteve anëtare të BSEC, si dhe rekomandimeve të 137/2014 “Teknologjitë e reja në ndërtimet modern dhe arkitekturën e shteteve të BSEC”.Kryetar i Delegacionit Shqiptar në PABSEC, Namik Dokle, nënvizoi se bashkëpunimi rajonal në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi përbën një mundësi të shkëlqyer për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe sa më i fortë të jetë ky bashkëpunim ndërmjet vendeve tona aq më e shëndetshme dhe e qëndrueshme do të jetë situata në rajonin tonë, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të vendeve dhe të popujve tanë.Në përfundim të fjalës së tij,Dokle u shpreh se objektivi kryesor i Shqipërisë është integrimi i plotë në strukturat Euro-Atlantike dhe në këtë kuadër Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet e saj për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi dhe BE-së.