Policët në lirim akuza Tahirit për rritjen e kriminalitetit: Siguria në vend, e cënuar

Shoqata e punonjësve të policisë në lirim – 2013 apelon qeverinë të marrë masa urgjente për kthimin e rendit dhe sigurisë në vend. Përmes një komunikate për mediat, Shoqata akuzon ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për situatën e krijuar në vend sa i takon ngjarjeve kriminale, i cili sipas shoqatës drejtoi reformën që solli lirimin e tyre nga detyrat në polici.Deklarata e plotë:Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 po ndjek me shqetësim të thellë situatën e rënduar të kriminalitetit në Shqipëri. Rritja e frikshme e treguesve të kriminalitetit këto gjashtë muajt e fundit, si krimet thujase të përditshme me eksploziv, krimet ndaj personit dhe pronës, trafiku i shtuar i drogës, trafiku i qenjeve njerëzore, krimet brenda familjes, aksidentet rrugore me pasoje vdekje apo plagosje personi etj., kanë cenuar dukshëm Sigurinë Publike në vend.Në këtë situatë të rënduar të kriminalitetit, kryeministri Rama, në vend që të orientojë politikat ekzekutive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për analizën realiste të situatës, identifikimin e shkaqeve dhe marrjen e masave emergjente për stabilizimin e parametrave të rendit, vazhdon me akuzat e pabaza për punonjësit e policisë, të cilët janë liruar në mënyrë të paligjshmë nga Policia e Shtetit, që nga muaji shtator 2013.Me qëllim sqarimin e opinionit publik, deklarojmë se që nga shtatori 2013 janë liruar dhe po lirohen nga Policia punonjës dhe drejtues policie me integritet dhe kapacitetet e duhura profesionale, me energji dhe përkushtim në punë, me arsimin përkatës policor dhe arsimime të tjera të nevojshme për ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive në strukturat e Policisë së Shtetit, janë liruar dhe vazhdojnë të lirohen ata që përfituan njohuri bashkëkohore në trajnimet dhe kurset më të mira që kanë ofruar Policia e Shtetit, Misioni PAMECA, Programi ICITAP, përfaqësia e OSBE-së, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Austrisë etj., duke reflektuar përformancë dhe standarde të larta në punën e tyre.Njëkohësisht me këto lirime të paligjshme, në Policinë e Shtetit, duke filluar nga niveli më i lartë drejtues e deri në nivelin zbatues, po aplikohen rekrutime, emërime dhe promovime drejtuesish duke shkelur kriteret ligjore dhe nënligjore për menaxhimin e burimeve njerëzore.Nisur nga sa më sipër, ne si anëtarë të Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013, kemi bindjen se Komisioni Hetimor Parlamentar për lëvizjet në Policinë e Shtetit, do të hetojë në mënyrë të paanshme dhe objektive, duke hedhur dritë mbi atë se çfarë ka ndodhur në këta gjashtë muaj në Policinë e Shtetit dhe si kanë refkektuar këto lëvizje në situatën e kriminalitetit në vend.Të shpresojmë se edhe ky reagim i yni do të ndikojë sadopak që të reflektohet me objektivitet dhe premtimet e Qeverisë aktuale për rendin dhe sigurinë publike, të pambajtura deri tani, do të realizohen në të ardhmen. Rendi dhe siguria në vend është domosdoshmëri jo vetëm për një qeveri, një apo disa subjekte politike, por për të gjithë shoqërinë shqiptare. Për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë faktorët.