"Dita e lotëve" për 3 motrat e vrara, mesazhe dhe lule nga nxënësit e mësuesit në Itali
"Ikët shumë shpejt, po do të jeni gjithnjë në zemrat tona". "Buzëqeshja juaj do të jetë gjithnjë me ne". "Ti ishe flaka në mes të zjarrit e ngrohtësisë, por dikush të hodhi ujë, duke të shuar, por ti ende ngroh".

Këto janë vetëm disa nga mesazhet nga shokët dhe shoqet e tre motrave shqiptare, Simona, Sindi dhe Kejsi, që u masakruan nga nëna e tyre.
Bankat ku mësonin tre motrat u mbuluan nga lulet dhe mesazhet për tre të miturat, por edhe fotot e tyre, në të cilat buzëqeshja ishte stampuar në portretet e secilës prej motrave, një buzëqeshje e këputur në mes prej dorës së asaj që u dha jetën dhe një ditë më parë ua mori të trejave sëbashku.
Kjo tragjedi ka prekur secilin prej nxënësve të shkollave në Itali ku mësonin tre viktimat e pafajshme. Mësuesit thonë se secili prej nxënësve e ka përjetuar dhimbjen në mënyrë individuale, ndërsa tani po ngushëllojnë njëri-tjetrin. Madje mësuesit janë kujdesur që pranë tyre të ketë edhe psiokologë.Giancarlo Comi, mësuesi i Simonës, thotë se për ta është shumë e vështirë të kuptojnë se kjo grua mund të ishte duke përjetuar ndonjë tragjedi më të madhe nga ajo që shkaktoi duke vrarë vajzat e saj. Për ta nuk ka asnjë arsye që mund të çojë në një krim të tillë të pabesueshëm.
Nxënësit dhe mësuesit e kujtojnë Simonën si një vajzë të ëmbël, të buzëqeshur dhe të zgjuar, por shumë të trishtuar pas ndarjes së prindërve të saj."Ndonjëherë e shihnim duke e qarë, e dinim se po vuante pasojat e divorcit të prindërve, por ajo nuk dëshironte kurrë të shprehej"- thotë një ndër mësuesit e saj, i cili kujton se 37-vjeçarja Edlira Dobrushi ishte një nënë e mrekullueshme, e rregullt, që interesohej shpesh për vajzat në shkollë, ndaj askush nuk mendonte se mund të shkaktonte një tragjedi të tillë.Për mësuesit e drejtuesit e shkollave ku kanë mësuar 3 motrat sot është dita e lotëve. Mëngjesin e së hënës 37-vjeçarja ka dëshmuar në polici dhe ka rrëfyer gjithë skenën e krimit.
Dy vajzat e vogla i ka vrarë në gjumë, ndërsa Simona duket se ka luftuar të shpëtojë nga thika që i drejtohej nga dora e asaj që i dha jetë, ka arritur të telefonojë në polici, por ka qenë tepër vonë.