Muaji shkurt "shpon" xhepat e shqiptarëve, INSTAT: Rritje çmimesh, s’ka konsum
Gjatë muajit shkurt jetesa e shqiptarëve është shtrenjtur në maksimum.Nga të dhënat e INSTAT vihet re se gjatë këtij muaji ka pasur rritje të çmimit të të gjitha produkteve më të domosdoshme të shportës. Rritja e çmimeve të produkteve të shportës ndikon në ulje të mëtejshme të konsumit, i cili ka pasur një trend rënës që prej disa muajve.Në muajin shkurt 2014, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit (inflacioni) është 1,9%, i konsideruar nën kufirin minimal, gjë që tregon për një gjendje të vështirë financiare të qytetarëve dhe bizneseve.Në krahasim me një vit më parë rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "Pije alkoolike dhe duhan" me 6,3 %, pasuar nga grupi "Mallra dhe shërbime të ndryshme" me 5,6 %, si dhe "Ushqime dhe pije joalkoolike" me 2,9 %.Ndërkohë rritjen më të madhe të çmimeve e kanë pësuar perimet 13.7 % dhe frutat me 16,7 % .Rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe artikujt duhan dhe pije alkolike të ndikuar këto edhe prej efekteve të paketës fiskale, ku është parashikuar rritje e këtyre produkteve.Kështu sipas INSTAT rritja e çmimeve të grupit "Pije alkoolike dhe duhan" krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 11,6%. Rritja mujore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi "Ushqime dhe pije joalkoolike me 1,13 pikë përqind.Po ashtu rritje kanë pësuar edhe çmimet e grupit "Transporti" me 0,02 pikë përqind në ndryshimin mujor, ku ka dhënë efekt rritja e çmimit të naftës dhe benzinës me 0,5 % krahasuar me një muaj më parë.