Atentat ish-agjentit të SHISH, tritol natën në ballkon, plagoset gruaja e Ilir Dakos

Edhe pse kishte menduar se i kishte mbyllur llogaritë me kohën kur shërbente në Shërbimet Inteligjente të vendit, 65-vjeçarit Ilir Dako i ka ardhur peshqesh gjatë kohës që po shijonte pensionin e tij.Një sasi tritoli ka shpërthyer rreth 02.40 të mëngjesit në ballkonin e banesës së tij, ku krahas dëmeve materiale të shkaktuara ka mbetur e plagosur edhe bashkëshortja, Vasilika Dako 60 vjeç. Mësohet se ajo ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut në spitalin e traumës.Pas sinjalizimit të marrë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë nisur menjëherë hetime për të identifikuar autorët dhe motivet që çuan në këtë ngjarje. Dyshohet që sasia e lëndës eksplozive të jetë hedhur nga rruga në brendësi të ballkonit nga autorët, të cilët janë larguar me shpejtësi nga aty.Shpërthimi ka qënë mjaft i fuqishëm, duke krijuar panik tek familja Dako, por edhe banorët e tjerë të pallatit. Pista kryesore e hetimit është fokusuar tek puna që Ilir Dako ka bërë për vite me radhë në SHISH deri në vitin 2006, por edhe në agjensi të tjera të zbulimit në vend.Ndërkohë në deponimet paraprake të bëra nga Dako në polici mësohet të jetë shprehur se nuk ka asnjë konflikt. Madje ai ka shtuar se autorët mund të kenë ngatërruar shenjestër, duke qenë se në këtë pallat jetojnë disa figura politike të vendit dhe deputetë të parlamentit.Mësohet se blutë e Tiranës dhe prokuroria të kenë marrë në konsideratë edhe këtë pistë. Megjithatë nga policia po merren në pyetje fqinjë dhe familjarë të Ilir Dakos,të cilët janë shprehur se ai nuk ka konflikte me njeri.