Fytyra politike e artit dhe ‘rasti Lubonja’
Studiuesi B. Groys në librin The total art of Stalinism shtron një pyetje mjaft të rëndësishme mbi mundësinë e ekzistencës së artit të mirëfilltë në komunizëm. Ai pohon se për shkak të pamundësisë për të krijuar në liri të plotë, është e vështirë të flitet për art të vërtetë nën diktaturë, megjithatë vë në dukje se arti ka aftësi shpërthyese edhe nën trysni. Studiuesi nxjerr një konkluzion: megjithëse diktatura nuk mundet ta keqpërdorë krejtësisht artin e vërtetë, ajo mund ta shfrytëzojë atë sidomos në cilësinë e veprimtarisë artistike. Revolucioni i Tetorit nuk premtoi vetëm çlirimin prej ‘skllavërisë borgjeze’ dhe një situatë më të mirë ekonomike, por edhe një botë ku komponentja estetike do të zinte një vend kryesor. Marksizmi po premtonte krijimin e një bote të re, e cila duke qënë në harmoni të plotë me parimet e drejta (marksiste), do të ishte domosdoshmërisht estetike dhe artistike.Pas Revolucionit të 1917, në Bashkimin Sovietik model frymëzues në fushën e artit u bë i ashtuquajturi modeli i “Pararojës artistike” dhe kishte si përfaqësues kryesor A. M. Rodçenko. Në këtë model lexohej njëfare “dëshirë” e artistit për pushtet. Sipas Rodçenkos, ky model do të sillte vdekjen e artit “të muzeumeve” dhe lindjen e “artit të vërtetë” që ndërton botën e re. Në fakt, ky model arti flirton me pushtetin dhe bëhet i padëshiruar kur pushteti bie. “Artin e muzeumeve” pushteti diktatorial nuk e donte dhe binte në konflikt me të, pikërisht sepse e ndiente që ishte e vështirë ta përdorte artin e artistëve të vërtetë. Në këto raste, artistët burgoseshin dhe arti i tyre shkatërrohej. Rasti më emblematik në Shqipëri është djegia e 246 veprave artistike të artistit Maks Velo.Është i njohur fakti se diktaturat kanë provuar shumë mënyra për ta keqpëdorur artin. Në një studim, Socialist Realism and Music, autorët (B. Mikulaś dhe C. Geoffrey) dëshmojnë për përdorimin e artit të vërtetë në veprimtaritë artistike gjatë realizmit socialist. Studiuesit pohojnë se gjatë realizmit socialist në veprimtaritë muzikore nuk ishte parësor një stil muzikor apo një metodë e krijimit të muzikës siç kanë besuar rëndom kritikët komunistë, por diskutimi mbi kushtet e “korrektësisë politike” në muzikë e në art në përgjithësi. Pra arsyetimi na çon sërish tek shpjegimi i Groys, që megjithëse disa veprimtari artistike keqpërdoreshin politikisht ky keqpërdorim nuk përfshinte thelbin e artit.Shqipëria nuk i shpëtoi kësaj tendence menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Megjithëse shumë besojnë se “këngët partizane” janë kënduar gjatë luftës, nuk gjendet ndonjë provë apo qoftë edhe një dëshmi gojore, që këto këngë të jenë kompozuar gjatë luftës. Ato duhet të jenë kompozuar në vazhdim për të himnizuar luftën që rezultoi të ishte vëllavrasëse. Instrumentalizimi i muzikës në mënyrë sistematike fillon me kthimin në Shqipëri të kuadrove të parë të specializuar në shkollën ruse.Kohët e fundit në Shqipëri u bë një debat i madh pas vdekjes së këngëtares Vaçe Zela. Me të drejtë analisti F. Lubonja e quajti “debilizim kolektiv” fenomenin post-mortem që shoqëroi të ndjerën Vaçe. Jam ndjerë i prekur nga sulmet që iu bënë, sidomos nga thirrjet për vetëvrasje. Platoni ishte i bindur se muzika, nëse nuk kontrollohej rreptësisht mund të krijonte mundësi për lëvizje popullore të dhunshme, pasi ajo ka aftësi të “nxehë shpirtrat”. Një ndër “shpirtrat e nxehtë” nga muzika e Vaçes ishte edhe këngëtarja që bëri thirrjen për vetëvrasjen e Lubonjës pasi ky i fundit kish thënë se në këngët e Vaçes nuk ka art! Lubonja ka ditur mirë të bëjë dallimin midis Vaçes si person njerëzor dhe artit të saj, pa fyer asnjëherë në artikull personin e Vaçe Zelës. Kjo gjë mesa duket është vështirë të kuptohet nga personat që kanë mendësi totalitariste në gjykim dhe për të cilët nuk ekzistojnë këndvështrime ndryshe për një fenomen.Termi i Lubonjës “debilizim masiv” është shumë interesant edhe në një kuptim tjetër: Partia Komuniste e kishte si qëllim debilizimin masiv dhe trajtimin e njerëzve si kafshë edhe nëpërmjet muzikës. Ja si shprehet diktatori Hoxha në lidhje me këtë argument:Kur bariu i çon bagëtitë për të pirë ujë apo në kullotë në kodra, ai ia merr shtruar melodisë me fyell, që bagëtia të ndiejnë kënaqësi, të qetsohen, të hanë, të pinë me qejf dhe të japin më shumë qumësht. Nga të gjitha këto raste ka dalë konkluzioni se bagëtia e do muzikën, se bagëtia e imët edhe lopët, kur hanë ose kur pinë, duan qetësi etj., etj. Sigurisht, barinjtë e kanë vënë re në praktikë këtë që unë e kam mësuar nga librat. (E. Hoxha. Nga biseda në takimin me një grup kuadrosh të Mashkullorës. 20 mars 1978)Pra debilizimi i shoqërisë ishte një instrument interesant i mbajtjes së pushtetit e me sa duket edhe politika e tranzicionit shkon hera herës në këtë linjë. Në tubimet politike post komuniste ka një ngjashmëri të madhe më tubimet e kohës komuniste përsa i përket pranisë dhe rolit të muzikës.Duke u rikthyer në atë që pohon autori Groys, mendoj se Lubonja ka hapur një debat që për mendimin tim është shumë i rëndsishëm: ka patur apo jo art të vërtetë në Shqipëri? Sidomos në muzikë? A mund të konsiderohen artistë të vërtetë vetëm ata që u burgosën? Fakti që pjesa më e madhe artistëve shqiptarë që u burgosen ishin artistë të vërtetë e dëshmon një studim i botuar vitin e kaluar nga Universitetit i Columbia-s i autorit G. B. Segel The ëalls behind the curtain. Aq i madh ishte nderimi i këtij autori për artistët e burgosur shqiptarë saqë në ballinën e librit ka vënë një vizatim të Maks Velos. Duke ju referuar autorëve më në zë për këtë argument si Groys, Frolova-Ëalker e Tuchovsky dhe duke ia përshtatur tezën kontekstit shqiptar, mund të pohohet se në Shqipëri përgjatë komunizmit ka pasur art të vërtetë jashtë burgut dhe në burg, po aq sa ka pasur përpjekje për keqpërdorim të artit të vërtetë. Ka pasur edhe pseudoart që është ofruar vetiu për t’u politizuar. Sa i përket përdorimit të veprimtarive artisike për qëllime politike, ndryshimi midis artit të vërtetë dhe pseudoartit qëndron në faktin se arti i vërtetë mund të keqpërdoret, ndërkohë që pseudoarti ofrohet vetë për keqpërdorim. Është si me thënë “art prostitucioni”.Fakti se edhe pas një çerek shekulli pas rënies së totalitarizmit, ka një tendencë të dukshme politizimi të shumë veprimtarive kulturore e sociale dëshmon se mendësia totalitariste vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në kushtet e sotme, natyra e paqartë e marrëdhënies së artit me politikën dëshmon për një liri të cunguar të artistit. Në vendet post-diktatoriale, për shkak të mendësisë së trashëguar arti vazhdon të jetë deri diku një mjet mjaft i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit. /Burimi: mapo.al/