Nishani dekreton Alaudin Malaj, për anëtar të Gjykatës së lartë
Presidenti Bujar Nishani dekreton zotin, Alaudin Malaj, për anëtar të Gjykatës së lartë. Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës Nishani arsyeton arsyet e përzgjedhjes së kandidaturës.“Bazuar në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me marrjen e njoftimit (dt. 16 janar 2014) nga Kryetari i Gjykatës së Lartë për përfundimin e mandatit të anëtarit Ardian Dvorani, më datë 20 janar 2014 u bë njoftimi publik mbi fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve.Në përfundim të afatit të caktuar (17 shkurt 2014) për paraqitjen e kërkesave dhe dokumentacionit përkatës, në përputhje me përcaktimet ligjore, u bë publike lista e kandidatëve të cilët plotësonin kushtet të përcaktuara në nenin 3 të ligjit të lartpermendur. Në vijim të këtij procesi, mbështetur në nenin 4/1 të këtij ligji si dhe bazuar në listën e konkurrentëve, përpara se të vendosja mbi dekretimin për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend realizuam procesin e konsultimeve për përcaktimin e kritereve konkrete, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.Në përfundim të procesit ligjor të përzgjedhjes së kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë, me dekretin nr. 8515, datë 10 mars 2014, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Alaudin Malaj, si anëtar të Gjykatës së Lartë” thuhet në njoftim.Presidenti thekson se në kandidaturën e zotit Alaudin Malaj, si një konkurrues që vjen nga radhët e gjyqësorit, ka vlerësuar përvojën dhe vjetërsinë në profesion si dhe treguesit mbi përformancën e tij si gjyqtar dhe si drejtues gjykate.Z. Malaj ka ushtruar profesionin e gjyqtarit të shkallës së parë për rreth 3 vjet dhe prej rreth 17 vitesh ushtron funksionin e gjyqtarit në gjykatë apeli. Prej muajit nëntor 2011 ai kryen edhe funksionin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë.6 ditë më parë Kreu i shtetit Bujar Nishani zhvilloi takimet këshillimore me krerët e grupeve parlamentare për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë pas përfundimit të mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani.Në një deklaratë për mediat pas takimit, kreu i grupit të PS-së Gramoz Ruçi i cilësoi këshillimet si jo productive. Ndërsa Paloka akuzoi mazhorancën se i ka shpallur luftë të hapur presidentit dhe nuk do të aprovojë asnjë nga kandidaturat që do të propozojë kreu i shtetit. Mbetet për tu parë qëndrimi i mazhorancës në parlament pas rrëzimit të dy dekreteve të mëparshme të Presidentit për dy kandidatura në këtë gjykatë.