Rama për shpërthimet me tritol: Po pengojnë leximin e rezultateve të policisë
Në vigjilje të 7 Marsit, Ditës së Mësuesve, Kryeministri Edi Rama, priti në godinën e qeverisë një përfaqësi të tyre me të cilët dsikutoi lidhur me problemet e arsimit dhe platformën e qeverisë për tu dhënë zgjidhje. Por në këtë takim, Kryeministri ka pasur dhe reagimin e tij të parë lidhur me atentatet me tritol, ku ka deklaruar se këto shpërthime po pengojnë leximin e qartë të punës së policisë shqiptare, e cila është kthyer në krye të detyrës. Nga ana tjetër, ai tha se për sigurinë në shkolla duhet të bashkëpunojnë të gjithë.“Jam shumë i vetëdijshëm per shqetesimin që ka krijuar shfaqja e shpërthimeve me tritol, që pengon leximin me qetësi të rezultateve në këtë fushë. Rikthimi i policisë në krye të detyrës në 300 ditët e para është duke ecur me shpejtësi dhe shifrat e kriminalitetit flasin qartë për ulje të krimeve. Është ulur mbi 30 për qind numri i vrasjeve krahasuar me 1 vit më pare. Kemi një rritje prej 180 % në arrestimin e personave të kërkuar. Kemi shumë më tepër drogë të kapur dhe grupe kriminale krahasuar me1 vit më parë. Ky është vetëm një fillim i mbarë. Në lidhje me shpërthimet po bëhet një punë intensive pasi është shpërthimi i një të keqeje të akumuluar në një periudhë të gjatë, për shkak të shpërbërjes së policisë.Siguria në shkolla është në rritje. Fëmijët shikojnë shembuj të këqinj edhe në televizor duke nisur që nga politika që në ekran jep shembuj të këqinj. Mësuesit nuk bëhen dot prindër dhe prindërit nuk bëhen dot mësues. Nëse nuk bëhen bashkë dhe komuniteti nuk bëhet pjesë, mund të kërkojmë llogari nëse mësove apo jo, por nuk po rrisim qytetarë”, tha Rama.Kryeministri tha se qeveria do të vazhdojë reformat për transformimin e sistemit arsimor, që kanë nisur me procesin e zgjedhjeve në drejtoritë rajonale dhe ato të shkollave.“Ne pa asnjë dyshim jo vetëm që gjithë reformën në arsim do e bëjmë, por në këtë proces do të ketë trajnime. Të fusim regjistrin elektronik. Do të fillojmë vitin e ardhëm një projekt pilot për të futur tabletat elektronike dhe për të hequr librat. Fëmijët i mësojnë shumë shpejt, por edhe mësuesit duhet të adaptohen. Bëhet fjalë për një proces ku të gjithë mësuesi të trajnohen dhe të gjithë të kenë edhe asistencën. Depolitizimi i shkollave duhet që të bëhet në bashkëpunimin me prindërit, pasi ky i fundi në fillim kërkon të dijë për fëmijën e tij dhe jo se çfarë partie ka mësuesi. Duhet të bëjmë progres. Tu japim siguri mësuesve tek vetja e tyre, në kuptimin se secili prej tyre e ka në dorë vendin e punës dhe cilësinë që ofron. Kjo gjë do të nisë krenarinë e mësuesve”, theksoi kryeministri Rama.Duke folur për marrëveshjen me FMN për kredinë, shefi i qeverisë tha se kjo nuk do të ndalojë rritjen e pagave të mësuesve. Sipas Ramës, këtë vit përveç rritjes reale të pagës me 4%, ekziston dhe mundësia e indeksimit sipas fashave.“Falë taksimit të ndershëm, në këtë 7 mars të parë, mësuesit e arsimit të mesëm përfitojnë në muaj 20 mijë lekë, ata të arsimit 9 -vjeçar 22 mijë lekë, edukatorët 23 mijë lekë dhe të tjerët, punonjësit, ndihmësit, pastruesit, 29 mijë lekë. Ata që fitojnë më pak paguajnë më pak taksa dhe sigurisht në fillim të muajit kanë një përfitim më të madh duke kompensuar në njëfarë mënyre pagën më të ulët”- deklaroi kryeministri Rama.Kryeministri theksoi gjithashtu se universitetet në vend, shtetërore dhe ato private aktualisht janë kthyer në një piramidë dhe janë bërë vetëm prodhues diplomash.