INUK dhe Prefekti për "Bulevardin": Pezullimi për shkak të ankesave të qytetarëve

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe Prefektura e Tiranes sqarojne arsyet e pezullimit të punimeve në zonën e ndërtimit të Bulevardit të Ri në Tiranës. Përmes një deklarate për mediat, INUK bën me dije se bazuar në ankesat e shumta dhe të herëpashershme të qytetarëve të Tiranës që përfshihen në zonën e ndërtimit të Bulevardit të Ri, të paraqitura në Prefekturën e Tiranës - INUK pezulloi punimet, deri në verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor në të mirë të sqarimit të situatës.Sipas Inspektoriat, ankesat e qytetarëve ndaj bashkisë së Tiranës kanë të bëjnë kryesisht me mosvlerësimin dhe për rrjedhojë moskompensimin e drejtë të pronave që do të prishen. Ankesa, që janë shprehur publikisht edhe në protestat e organizuara nga këta banorë ndaj bashkisë së Tiranës.Në përfundim të deklaratës INUK garanton shqyrtimin me korrektësi dhe profesionalizëm të çështjes në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.

Prefektura: Ankesat e qytetarëve për referenca joreale në vlerësimin e pronave

Referuar ankesave të qytetarëve të Tiranës, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi i Bulevardit të Ri,  Prefektura  e Tiranës bën me dije se për një periudhë disa mujore, ajo ka marrë me qindra ankesa apo dhe ka zhvilluar takime të drejtëpërdrejta me ta, për shqetësimin lidhur me shpronësimet.

Ky problem, i cili mund të marrë përmasat e një konflikti social ngrihet në bazë të shqetësimit të pronarëve ndaj Bashkisë së Tiranës se shpronësimet nuk po realizohen në përputhje dhe sipas afateve të përcaktuara në legjislacionin përkatës.

Konkretisht, ata janë ankuar për referenca joreale në vlerësimin e pronave të tyre, krahasuar me çmimet e tregut. Nisur nga ky shqetësim masiv në respekt të ligjit Prefektura e Tiranës i ka kërkuar INUK verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor  për shembjet në fjalë.

Prefektura është e angazhuar të zbatojë gërmë për gërmë ligjin dhe të verifikojë cdo shqetësim të ngritur nga qytetarët në lidhje me shkelje të pretenduara nga ata.

INUK bllokon zgjatimin e bulevardit, Bozdo: Fyle t’i shohë veprat Ramës, jo fjalët

Më herët Bashkia e Tiranës akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bllokon ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Nënkryetari, Eno Bozdo, u shpreh në një konferencë për shtyp se bllokimi i bulevardit është akti më i fundit i luftës politike që Edi Rama i ka shpallur Bashkisë së Tiranës.

“Vetëm një ditë pas shpalljes antikushtetuese të vendimit të qeverisë, për zgjerim të kompetencave të INUK nga Gjykata Kushtetuese, në një akt të paprecedentë antiligjor e hakmarrës, Edi Rama ka urdhëruar mercenarët e tij të tritolit të bllokojnë veprën më të rëndësishme infrastrukturore të Tiranës, bulevardin e ri. Ky është akti më i fundit i luftës politike që Edi Rama i ka shpallur Bashkisë së Tiranës. Paaftësinë dhe xhelozinë e tij për projektet e Tiranës, Edi Rama po e shpreh duke bllokuar edhe shërbimet më jetike për qytetarët, siç ishte bllokimi për dy muaj i buxhetit të Bashkisë, bllokimi i shpronësimit për varrezat, bllokimi i kredive për të pastrehët e vendime të tjera që bien në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Tiranës”tha ai.Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese shpalli si te papapajtueshem me Kushtetuten aktin normativ të qeverisë qe unifikonte kompetencat e INUK në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor, duke i dhene kompetence per te prishur ndertimet me dhe pa leje.