Meta pret Ambasadorin e Mongolisë, i kërkon njohjen e Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Ambasadorin e ri të Mongolisë në Shqipëri (rezident në Romë), Shijeekhuu Odonbaatar.Kryetari i Kuvendit Meta pasi e uroi Ambasadorin Odonbaatar për paraqitjen e letrave kredenciale, shprehu vullnetin për të çuar marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Mongolisë në një nivel më të lartë shkëmbimesh dhe bashkëpunimi, si në nivelin politik ashtu edhe në nivelin ekonomik.Meta shprehu gjithashtu vullnetin për thellimin e kontakteve mes dy Parlementeve, duke theksuar se dimensioni i diplomacisë parlamentare ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.Ambasadori i Mongolisë, Shijeekhuu Odonbaatar, shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Tiranë dhe për marrjen e detyrës dhe e siguroi Kryetarin e Kuvendit Meta për vullnetin e Qeverisë së Mongolisë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes Mongolisë dhe Shqipërisë.Ambasadori Odonbaatar vuri në dukje se Mongolia është mirënjohëse ndaj Shqipërisë si një prej vendeve të para që njohën Mongolinë dhe duke marrë në konsideratë 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ky duhet të jetë viti i thellimit konkret të marrëdhënieve politike dhe shkëmbimeve ekonomike.Në përfundim të takimit Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ripërsëriti kërkesën e Shqipërisë për njohjen e Republikës së Kosovës nga Mongolia si një akt kontribues në drejtim të forcimit të stabilitetit të rajonit tonë.