Daçiç:Kam raporte më të mira me Thaçin sesa me Kroacinë

Vetëm disa orë pasi kishte përfunduar takimin e tretë me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka befasuar zyrtarët evropianë dhe diplomatët e huaj në një konferencë në Bruksel, duke thënë se ka përkeqësim të raporteve  Serbi-Kroaci.“Por për diplomatët europianë ishte surprizë të dëgjonin se kryeministrit serb Daçiç ka raporte më të mira bashkëpunimi me ish-armikun e tij të luftës, Hashim Thaçi, sesa me qeverinë kroate, shkruan “Koha Ditore”.“Mes Serbisë dhe Kroacisë është krijuar akull. Marrëdhëniet tona janë duke u përkeqësuar. Nuk e di nëse si arsye për këtë është fakti se Kroacia së shpejt do të bëhet anëtare e NATO-s”, ka thënë Daçiç.Ai për këtë ka fajësuar edhe vendimet e fundit të Gjykatës së Hagës për të liruar dy gjeneralët kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, dhe ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.Me ton shumë pozitiv ka folur për raportet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke fituar duartrokitje të shumta pas shpjegimit se si ai dhe Thaçi kanë ardhur deri te ideja që të ndërtohet autostrada Prishtinë-Nish, një investim të BE-së.“Gjatë një takimi në prani të baroneshës Ashton, unë e pyeta Thaçin: se pse nuk bëjmë një projekt të përbashkët në interes të qytetarëve tanë? Përmendëm autostradën që do të lidhte Prishtinën dhe Nishin. Ai propozoi që kjo të financohej nga Bashkimi Evropian ndërsa Ashton tha se unë dhe Thaçi jemi bërë bashkë kundër saj! Unë i thash se pasi kërkojnë që ne të bashkëpunojmë, atëherë duhet edhe të paguajnë për këtë”, shpjegoi Daçiç në konferencën për Ballkanin.