Rama: Punësim, arsim dhe shteti në krah të njerëzve në nevojë

Një varfëri ekstreme vetëm 3 minuta me makinë larg Tiranës, në Paskuqan. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Xhemal Qefalija, si dhe përfaqësues të PS-së së zonës, ka qenë sot pranë familjes Alla, ku ka dëgjuar rrëfime rrëqethëse e tronditëse.Një familje në mëshirë të fatit, asnjë kujdesje sociale, asnjë institucion që kujdeset, as ndihmë sociale, asgjë prej gjëje, vetëm me lëmosha jetohet në këtë familje ku nuk diskutohet për ngrohje për libra apo dhurata,por vetëm për të ushqyer katër fëmijët me bukë.E pamundur të frenojë lotët gjyshja 90-vjeçare ndërsa i tregon me pak fjalë Edi Ramës:“Jam 90 vjeçe, pension jo. Kemi marrë fund, me borxhe jetojmë. Nusja është e sëmurë. Si jemi ne për atë Zot. T’u vujt. Kalamajtë janë 4, jo një. Çfarë të bëjmë??”Kryesocialisti Rama është shprehur se është e pafalshme kjo varfëri ekstreme e papunësi e pashpresë vetëm pak minuta larg kryeqytetit:“Është situatë shumë e rëndë ekonomike dhe sociale. Këtu faktikisht jemi 3 minuta e gjysmë nga Tirana edhe ndeshim në papunësi ekstreme, varfëri ekstreme, mungesë shprese. Ndërkohë që ndihma ekonomike, aq sa jepet është kthyer në vegël skllavërimi politik dhe ndërkohë që gjëja e parë që të vret, kur vjen, është ç’bëhet me gjithë këta fëmijë që lindin e rriten në këto territore me këtë varfëri dhe me këtë nivel edhe të shkollës edhe të kujdesit për ta në shkollë. Për të mos folur për çerdhe dhe për kopshte pasi nuk bëhet fjalë”.Për kryesocialistin Rama, shteti nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj këtij mjerimi që ka pllakosur vendin. Ai ka shprehur angazhimin e PS-së për të ndryshuar rrënjësisht këtë realitet që nuk ka asgjë të përbashkët me familjen europiane të cilës i përkasim dhe ku duam të integrohemi. Punësimi dhe investimi për arsimimin e fëmijëve, për t’u dhënë atyre mundësinë të krijojnë një të ardhme më të mirë e më të begatë, janë dy nga objektivat prioritarë të programit të PS.“Ne duam së pari të bëjmë çmos për rritjen e mundësive për punësim. Së dyti të bëjmë çmos që fëmijëve të mos u mungojë mundësia për arsimim. Muhamedi thoshte ‘boja e penës së nxënësve është me shenjtë se gjaku i martirëve’. Ne duam të bëjmë çmos që kaq shumë shqiptarë, janë 1 milion e kusur që janë të papunë dhe që janë të pasiguruar, të mos vuajnë siç vuan zonja dhe s’merr as ilaçet tanimë sepse s’ka mundësi për një sëmundje që duhet ta kurojë rregullisht. Por, që shteti të kujdeset për të gjithë”, ka theksuar kreu i Partisë Socialiste.