Basha: Luftë në kuvend e protesta, nëse s’bëhen hapa pas do rrëzojmë të keqen

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar sot anulimin e pasojave të aktit normativ dhe kthimin pa kushte të të largurave nga administrate. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokratik, Basha theksoi se botimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fletoren zyrtare është detyrim ligjor dhe nuk nënkupton shprehje e vullnetit të mirë nga ana e qeverisë.“Botimi në fletoren zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një akt rutinë, një detyrim. Mosbotimi është shkelje dhe e vullnetit të mbrapshtë mbi Kushtetutën dhe ligjin. Dhe botimi nuk nënkupton shprehje e vullnetit të mirë.  Ajo që kërkojmë sot dhe do ta kërkojmë me forcë në aurën e kuvendit dhe në të gjitha foltoret dhe sheshet e Shqipërisë në protestë, është anulimi i pasojave që ka krijuar zbatimi i aktit normativ antikushtetues , kthimin në punë pa kushte i të gjithë burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që janë hequr arbitrarisht me aktin antikushtetues, kthimin pa kushte  të ligjshmërisë të sjelljes së qeverisë ndaj administratës publike” tha Basha.Basha ka theksuar më tej se, opozita do të jetë bashkë me qytetarët në protesta pasi vetëm ato janë mjeti i zgjidhjes kundër arrogancës së qeverisjes së vendit.“Qeveria nuk është në krye të detyrës. Qeveria nuk është në lartësinë e premtimeve të saj. Qeveria nuk është në vendin e vetë. Qeveria po del tepër, jo populli.Populli nuk mund te jetojë në fatalitetin e dështimeve ngaqë ka dështuar qeverisja. Sepse Shqipëria i ka realisht mundësitë të ngrihet. Koha, kjo kohë që jetojmë sot, është plot me mundësi, edhe pse kjo qeveri u ka hedhur këtyre mundësive shaminë e zisë.Qytetarët e lirë të këtij vendi janë ngritur dhe po ngrihen në këmbë për të çliruar mundësitë e ndaluara.Dhjetëra greva dhe protesta të tjera, të vogla dhe të mëdha, janë në shpërthim në gjithë vendin. Jemi çdo ditë nën një bombardim thirrjesh, kërkesash dhe shtytjesh për t’u dhënë zërin, bashkimin dhe drejtimin e duhur këtyre protestave. Duam ti sigurojmë gjithë qytetarët shqiptarë që po protestojë apo duan të protestojnë se Partia Demokratike dhe opozita janë përkrah tyre. Sepse kërkesat e tyre janë të drejta, lufta e tyre është e drejtë, fitorja e tyre është e mundshme, është e sigurt nëse qëndrojmë fort dhe të bashkuar.Asnjë qeveri në shoqëritë e hapura, sado arrogante dhe e papërgjegjshme të këtë qenë, nuk e ka mundur dot kurrë shpirtin e lirë të njerëzve të lirë, nuk e ka mposhtur kurrë protestën e tyre te drejtë.. Protesta është zgjidhje. Prandaj “Shqipëria në protestë” do të vazhdojë të jetë puna jonë numër një”theksoi Basha.Basha shtoi se opozita ka vendosur që të kombinojë luftën parlamentare me forcën e protestave.“Në këto kushte të rrezikimit serioz të demokracisë, ne kemi vendosur ta kombinojmë e alternojmë betejën parlamentare me një kalendar gjithnjë e me të ngjeshur protestash, kudo ku është nevojshme dhe sa herë të jetë e nevojshme. Protesta popullore është mjeti i ligjshëm për të balancuar raportet arbitrarisht të zhbalancuara të forcave në Kuvend. Qytetarëve, jo vetëm votuesve të opozitës por dhe qytetarëve në tërësi u është marrë një pjesë e përfaqësimit në Kuvend, por nuk mund t’u merret në sheshet e protestës popullore. Ne, qytetarët, votuesit tanë dhe të tjerët e ndjejmë si një obligim të shenjtë ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë të dëshmojmë pa pauza dhe pa kompromis në sheshet e protestave forcën tonë reale kundër antireformave me mandate të trafikuara.Por protesta popullore sot është shumë me tepër se kaq, është thirrja e të gjithë kategorive shoqërore për të mos i dhënë kohë se keqes që ka mbërthyer vendin dhe çdo familje, për të ndaluar kursin e se keqes që vetëm përparon e nuk po di të ndalet. Në të kundërtën, nëse nuk ia dalin, të ndalojnë dhe largojnë burimin e saj, qeverinë Rama-Meta.Ka shumë e shumë motive që kanë ngritur e po ngrenë në këmbë qytetarët shqiptarë, por kryefjala e “Shqipërisë në protestë” është puna, një fjalë që i jep kuptim dhe dinjitet të madh atyre që kanë zbritur tashmë në rrugët dhe sheshet e protestave dhe atyre që po përgatiten të zbresin si një uragan i papërmbajtshëm.Në vijën e parë të kundërshtimit dhe kërkimit të llogarisë ndaj qeverisë janë burrat dhe gratë që po humbin me shpejtësi vendet e punës për shkak të politikave të gabuara, arrogante dhe të papërgjegjshme të qeverisë” tha ai.