A do të na e marrë shteti lopën?
Edhe pse të gjithë nxitojnë të thonë se liria është gjëja më e shtrenjtë për individin dhe se ajo është e paprekshme, për shumë njerëz sot duket e paimagjinueshme ta mendojnë ekzistencën e vet pa prezencën e shtetit. Shumë e kanë frikë, shumë e venerojnë, dhe shumë të tjerë vendosin, ose nuk kanë rrugë tjetër veçse të pranojnë dhe t’i përkulen supremacisë së shtetit duke dorëzuar lirinë e tyre. Çfarë është shteti, cili është roli i tij? Shteti ka qenë dhe mbetet “një organizëm politik detyrues, me një qeveri, që ka monopolin e ushtrimit legjitim të forcës brenda një territori të caktuar” (Max Weber). Qeveritë që i përkasin një force apo një koalicioni politik, dhe që me shpresë të Zotit ndërrohen herë pas here, janë mjetet përmes të cilave vihet në punë fuqia detyruese e shtetit.Kjo fuqi dhe tendenca për shtimin e saj, prej më shumë se dy shekujsh ka bërë të artikulohet nevoja e kufizimit të rolit të shtetit. Është theksuar dhe ritheksuar se “roli i shtetit duhet të jetë: i) mbrojtja ushtarake e kombit, ii) sigurimi i zbatimit të kontratave mes individëve dhe iii) mbrojtja e qytetarëve nga krimet kundër tyre dhe pronës së tyre”. Në qendër të këtyre arsyetimeve është individi dhe sipërmarrja, garantimi i barazisë së oportuniteteve në dispozicion të tyre; liria e tyre për të zgjedhur. Shteti, po të kufizohej në përmbushjen e këtyre tri funksioneve bazike, nuk do bënte gjë tjetër veçse do të garantonte këtë liri, dhe lojën e ndershme në ekonominë e tregut.Por, a mjaftohen shtetet me përmbushjen e vetëm këtyre tri funksioneve? Shtetet sot janë krejt ndryshe. Ato merren me arsim, me shëndetësi; prodhojnë energji, naftë, blejnë dhe shesin barna, hapin kanalizime, autostrada, rrugë dhe shtigje. Vendosin taksa dhe marrin borxh. I ndryshojnë taksat dhe marrin prapë borxh. Kontrollojnë direkt e indirekt çmimet e tregut, të ardhurat e individit dhe të sipërmarrjes duke krijuar privilegje për disa, dhe kufizime për shumë të tjerë. Për të garantuar këtë, nxjerrin ligje dhe normativa të panumërta dhe të paimagjinueshme në të gjitha fushat, pa kufizim. Siç thotë Murray N. Rothbard: “shteti i këtij shekulli është i armatosur me frytet e fuqisë krijuese të njeriut, fryte që i ka konfiskuar dhe përthyer sipas qëllimeve të veta. Të gjitha përpjekjet për ta kufizuar shtetin përmes akteve themelore kanë dështuar”.Natyrisht që shtetet, edhe pse vazhdojnë të zmadhohen ndryshojnë nga njëri tjetri. Ndryshimi është se deri në ç’gradë e kanë kufizuar lirinë e individit dhe sipërmarrjes. Sipas programit politik të majtë apo të djathtë që kanë qeveritë, ka shoqëri ku roli i shtetit është i vogël, pra ku nëse ke dy lopë, je i lirë ta shesësh njërën dhe në vend të saj të blesh një dem, siç ka vende ku roli i shtetit është i madh, pra ku nëse ke dy lopë shteti ta merr njërën dhe ia jep një tjetri; apo vende ku roli i shtetit është akoma më i madh, pra ku shteti kur zgjohesh në mëngjes t’i ka marrë të dy lopët, të detyron të kujdesesh për to dhe ta merr gjithë qumështin. Ky modeli i fundit ishte Shqipëria përpara ’90-ës.Ku jemi ne sot? A jemi të lirë të bëjmë zgjedhjet tona pa u kufizuar nga qeveria, pa e patur qeverinë pas qafe duke marrë vendime në emrin tonë? Krahasuar me një kohë jo të largët kur shteti komunist, në emër të së mirës së përgjithshme vendoste për gjithçka, është evidente: shumë më të lirë! Pavarësisht ideologjive politike, qeveritë e ndryshme shqiptare gjatë këtyre dy dekadave kanë ndërmarrë shumë reforma strukturore liberale duke ndryshuar radikalisht strukturën e ekonomisë nga një ekonomi e centralizuar drejt një ekonomie tregu ku individët dhe sipërmarrja kanë një liri ekonomike shumë më të madhe se më parë.Atëherë, si është e mundur që Shqipëria postkomuniste, nga të parat vende në kryerjen e këtyre reformave mbetet një vend i varfër, dhe një realitet ku ekonomia e tregut nuk arrin të çlirojë potencialin e saj? Pse, pavarësisht progresit dhe reformave Shqipëria mbetet një vend ku roli i shtetit, qeverisë së radhës ndjehet ende fort dhe individi e sipërmarrja mbeten të intimiduar, mbeten vulnerabël, ndjehen të pambrojtur?Individi dhe sipërmarrja sot në Shqipëri nuk vuan nga sasia e reformave formale të kryera, por nga paqëndrueshmëria e tyre, nga cilësia e bazamentit mbi të cilin janë kryer ato. Mosçlirimi i potencialit të këtyre 23 vjet reforma liberale në Shqipëri shpjegohet me observimin e Milton Friedman se: “Liria politike mund të arrihet shpejt, por liria dhe prosperiteti ekonomik janë krejt ndryshe. Materializimi i lirisë ekonomike, pra prekja me dorë e rezultateve të reformave liberale, arrihet duke krijuar institucionet ekonomike të tregut të lirë, të cilat janë të vetmet mjete për ta konvertuar lirinë politike në liri ekonomike dhe njerëzore.”Pikërisht tek krijimi i institucioneve të ekonomisë së tregut ka dështuar pa dallim shteti shqiptar. Kolapsi i statizmit ekstrem në ‘90 nuk u shoqërua automatikisht dhe natyrshëm nga sipërmarrja kapitaliste. Ndoshta dhe për shkak të një trashëgimie inekzistente, gjithë këtë kohë shteti nuk ka arritur të përmbushë 2 prej funksioneve bazë: garantimin e zbatimit të kontratave mes palëve dhe mbrojtjen e pronës private, pra ka dështuar në sigurimin e kushteve të qëndrueshme dhe të besueshme në të cilat individët dhe sipërmarrësit organizohen, konkurrojnë, bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë mes tyre.Ndryshimet e shpeshta të ligjeve, jo vetëm atyre fiskale, një administratë e dobët dhe një sistem gjyqësor problematik dhe jo i besueshëm nuk mund të garantojnë zbatimin e kontratave mes palëve. Por ALFA e ekonomisë së tregut, institucioni kryesor i saj, prona private në Shqipërinë e sotme, mbetet peng i procesit të regjistrimit të pronës, procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës, i procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, i grabitjes dhe tjetërsimit të pronës, i kontesteve mbi pronën që shpesh burojnë nga zbatimi i ndryshëm i të njëjtit ligj, dhe jo rrallë dhe i arbitraritetit të shtetit në trajtimin e saj.Nuk ka për të patur ekonomi tregu funksionale në Shqipëri pa larë dhe pastruar pronën private nga gjithë këto mëkate. Deri atëherë reformat e ekonomisë së tregut do mbeten të pambaruara nuk do arrijnë të kenë efekte të qëndrueshme, do jetë sikur ato janë kryer në mjegull, në terr, me drita të fikura. Detyrimi që kemi është përkufizimi i qartë i pronës private, titujve të pronësisë, mbrojtjes dhe garantimit të saj nga grabitja, tjetërsimi, dhe garantimi i posedimit të një informacioni të sigurt për transaksionet me të. Ky është guri i themelit të një shoqërie të lirë. Ne e kemi vënë shtrembër atë dhe na duhet doemos ta drejtojmë.Deri atëherë individi dhe sipërmarrja do jenë në një mase të madhe informale, dhe për këtë shkak do jenë të dobët, dhe pa akses në burimet, jo vetëm financiare për t’u zhvilluar më tej. Do të jenë një pre e lehtë në mëshirë të shtetit, pa qenë të lirë të parashikojnë, të vendosin dhe zgjedhin për të ardhmen e tyre. Ndoshta do të rifillojnë të shohin tek shteti të vetmen mundësi të vazhdimit të ekzistencës së tyre. Ky është terreni më fertil për ringritjen e statizmit si gjoja alternativa më e mirë që i zgjidh hallet e secilit, se sa ekonomia e lirë e tregut ku individi dhe sipërmarrja vendosin dhe zgjedhin për veten e tyre.Le të kthehemi pak tek reformat e ekonomisë së tregut ne Shqipëri dhe se si janë përkthyer ato në liri ekonomike për individin dhe sipërmarrjen.Ristrukturimi i ekonomisë shqiptare i çuar përpara nga qeveri të majta e të djathta që filloi me privatizimin e dyqaneve, restoranteve dhe apartamenteve në fillim të ‘90, përgjithësisht mbaroi në vitin 2005 me privatizimin e Albtelekomit. Më 2005-ën Shqipëria ishte e 81-a në botë në Indeksin e Lirisë Ekonomike të Heritage Foundation. Ajo renditej e 53-ta në botë në vitin 2010, kohë kur kulmonte eliminimi i barrierave administrative me regjistrimin online të biznesit, pagesës së taksave online apo eliminimin e qindra licencave dhe lejeve për të ushtruar aktivitet ekonomike, kombinuar kjo me aplikimin e taksës së sheshtë prej 10 për qind. Pra mund të themi se gjatë kësaj periudhe kemi pasur një tkurrje të përgjithshme të statizmit në favor të lirisë ekonomike të individit dhe sipërmarrjes.Ç’po ndodh sot që flasim? Kontrolli i shtetit mbi individët dhe sipërmarrësit shqiptarë është rritur. Kundrejt një viti më parë ata kanë mesatarisht 18 për qind dhe 50 për qind më pak liri ekonomike për të zgjedhur, për të qenë të zotët e vetes dhe vendimeve të tyre, aq sa janë rritjet e taksave mbi të ardhurat personale dhe mbi fitimin e sipërmarrjeve. Po kështu një tjetër copë lirie ekonomike u fundos brenda këtyre gjashtë muajve nga shtatori 2013, me rritjen vertikale të borxhit publik nga 62 për qind e GDP-së në fillim të vitit 2013 në gati 74 për qind që pritet deri në fund të 2014. Bazuar në këto të dhëna, sot individët dhe sipërmarrja janë më të dobët, kanë më pak burime në dispozicion, sepse shteti me fuqinë e tij detyruese i ka zhvendosur kapitalet private nga fusha e prodhimit ku ato mund të krijojnë punësim dhe prosperitet për shqiptarët tek shpenzimet e veta korrente duke shkaktuar një baticë statizmi, si asnjëherë në këto 23 vjet që Shqipëria kryen reforma të ekonomisë së tregut.Perspektiva e rritjes së statizmit në Shqipëri është reale. Nëse liria ekonomike deri dje ndikohej nga moskonsolidimi i institucioneve të ekonomisë së tregut, kësaj duhet t’i shtojmë, ndoshta për herë të parë dukshëm në këto dy dekada edhe ndikimin e ideologjisë politike të qeverisë, që është ajo e modelit të shtetit paternalist, asistencialist, që i bie daulles së marrjes nga të pasurit për t’i dhënë të varfërve. Besoj se ky lloj shteti që i bie kësaj daulleje, e bën me qëllime të mira. Por oreksi vjen duke ngrënë. Në fakt me po këto qëllime të mira filloi edhe shteti shqiptar i vitit 1945, por shumica e atyre që janë këtu e panë vetë si vajti puna.Mendoj se Shqipëria nuk e ka ende luksin e politikave populiste, të lehta për t’u zbatuar, që bazohen tek përdorimi me arrogancë demokratike i fuqisë detyruese të shtetit. Nuk besoj se do ta ketë ndonjëherë.Rruga që duhet të zgjedhë shteti është ajo më e vështira, ajo e ngritjes dhe konsolidimit të institucioneve që garantojnë dhe mbrojnë individin dhe sipërmarrjen private, që garantojnë startin e barabartë në garën e ekonomisë së tregut. Shteti duhet të nxisë me çdo formë dhe mënyrë aktivitetin ekonomik dhe pasurimin e shqiptarëve. Pasuria duhet të krijohet njëherë, pastaj të taksohet. Kjo bëhet duke ulur taksat, borxhin, duke eliminuar detyrimin e pagës minimale dhe braktisur aritmetikat me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore e çdo hap tjetër që e çliron sa më shumë kapitalin privat nga kthetrat e shtetit. Kapitalit privat kur t’i dalë frika nga shteti është e sigurt që do gjenerojë punësim dhe prosperitet për shqiptarët, shumë më tepër eficencë sesa ëndërron ta bëjë shteti i sotëm shqiptar.*Komenti është një kumtesë e autorit në Forumin Ekonomik të Tiranës me temë ‘A po rikthehet etatizmi’, zhvilluar nga Fondacioni për Liri Ekonomike. Titulli i autorit: Shteti, reformat e ekonomisë së tregut dhe liria ekonomike në Shqipërinë postkomuniste/Burimi: mapo.al/