Sequi firmos me Gjoshën 64 mln euro për reformat: BE do rezultate të prekshme

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, firmosën sot Marrëveshjen Financiare për miratimin e Programit IPA 2013. Ceremonia u zhvillua në ambientet e MIE në praninë e përfaqësuesve të ministrive të linjës dhe Delegacionit Evropian.Në sajë të kësaj marrëveshje Shqipëria do të përfitojë një Grant me një shumë totale prej 64 232 000 Euro për zbatimin e 12 projekteve.“E veçanta e programit IPA 2013 është se në bashkëpunim me Komisionin Evropian është mundësuar hartimi i projekteve duke u bazuar në konceptin e përqasjes së gjerë sektoriale. Në këtë kuadër, fusha e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme si dhe Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike janë dy nga sektorët pilot të përzgjedhur”, tha Ministrja Gjosha, gjatë ceremonisë.Ministrja theksoi se në bashkëpunim me Komisionin Evropian, Shqipëria dhe vendet e tjera përfituese të rajonit po punojnë për hartimin e dokumenteve të tjera strategjike dhe teknike me qëllim adresimin sa më të mirë të fondeve të Instrumentit të ri Financiar për Asistencën e Para-aderimit (IPA II) në kuadrin e perspektivës së re financiare 2014-2020.“Risia e këtij instrumenti të ri është fokusi në programimin e projekteve me bazë sektoriale duke marrë parasysh zbatimin e prioriteteve dhe strategjive afat-mesme dhe afat-gjata dhe sigurimin e buxhetit përkatës”, tha ministrja Gjosha.Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, theksoi se BE-ja është e angazhuar të mbështesë Shqipërinë për procesin e integrimit evropian. Ai listoi sektorët ku do të alokohen më shumë fonde duke nënvizuar se institucionet shqiptare duhet të marrin përgjegjësitë për t’i zbatuar sicc duhet këto projekte.“Pritshmëritë tona tona ndaj Shqipërisë janë gjithashtu të larta. Ne presim nga Shqipëria të forcojë shtetin e së drejtës, të zhdukë korrupsionin dhe të luftojë krimin e organizuar, të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut”, u shpreh Sequi gjatë ceremonisë.