Naço: Sistemi i burgjeve i deformuar, mungon arsimi i administratës
Ministri i drejtësisë Nasip Naço e ka cilësuar sërish sistemin e burgjeve si të deformuar për shkak të mungesës së trajnimit dhe arsimimit të administratës.Duke folur në komisionin e ligjeve ku është diskutuar projektligji për të drejtat e trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve, Naço ka ngritur si shqetësim mos riintegrimin e ish të dënuarëve në shoqëri.“Problem nuk janë burgjet dhe ligjet, por zyrtarët që nuk lejojnë riintegrimin e të burgosurve në jetë. Shoqëria dhe shteti ligjor nuk duhet të harrojnë se të burgosurit janë njerëz” tha Naço.Duke iu referuar sërish ngjarjeve në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, ministri i drejtësisë ngriti edhe njëherë shqetësimin për dhënien e shpeshta të lejeve shpërblyese për të dënuarit."Pas ngjarjeve në Burgun e Drenovës kam thënë se sistemi është i kalbur. Janë dhënë 2500 leje shpërblyese në vit, një i burgosur ka marrë 7 herë leje brenda një viti. Kemi bërë kallzim penal për 11 zyrtarë që kanë dhënë leje shpërblyese abuzive të burgosurve” tha Naço.I pyetur nga deputeti Spartak Braho nëse ka ardhur koha për burgje private në vendin tonë, ministri i drejtësisë u shpreh se qeveria është e hapur nëse do të ketë një nismë të tillë.“Ne kemi futur konceptin e privatizimit të shërbimeve, por jemi të hapur për burgje private. Nëse do të ketë nismë për burgje private, do të jetë pozitive” është shprehur Naço.