Frroku kundërshton Kokën:Të mos shkrihet Drejtoria e Shërbimit Pyjor të Rrethit Pukë

Kreu i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, kundërshton vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe institucioneve të varësisë për shkrirjen e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor të Rrethit Pukë dhe kalimin e saj nën administrimin e Drejtorisë Rajonale, Shkodër. Në cilësinë e deputetit të qarkut të Shkodrës, Frroku e cilëson vendimin e marrë nga institucionet qeveritare si të pagjetur dhe me pasoja të jashtëzakonshme për pasurinë pyjore kombëtare dhe mjedisin në tërësi.“Përmes burimeve zyrtare, por edhe nga media, jam njoftuar rreth vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe institucioneve të varësisë për shkrirjen e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor të Rrethit Pukë dhe kalimin e saj nën administrimin e Drejtorisë Rajonale, Shkodër. Në cilësinë e deputetit të Qarkut Shkodër, i mandatuar me shumicën dërmuese të votave nga banorët e rrethit të Pukës, e konsideroj vendimin e marrë nga institucionet qeveritare si të pagjetur, dhe me pasoja të jashtëzakonshme për pasurinë pyjore kombëtare dhe mjedisin në tërësi. Unë ende jam pjesë e mazhorancës qeverisëse, që kam mbështetur me votë programin e Qeverisë, përfshirë edhe programin për pyjet, ku kam vlerësuar idetë e parashtruara për miratimin e një strategjie kombëtare për menaxhimin e qendrueshëm të burimeve pyjore (Pse jo edhe një Moratoriumi për ndalimin e përkohshëm të shfrytëzimit të lëndës drusore), hartimin e një kadastre të re të pyjeve, realizimin programi kombëtar për pyllëzimin dhe rivitalizimi i zonave pyjore me vlerë kombëtare. Mazhoranca e dalë nga zgedhjet e 23 qershorit dhe unë personalisht, kemi premtuar forcimin e strukturave dhe shtimin e fondeve për zhvillimin e sektorit pyjor në Pukë.Ky hap për shkrirjen e drejtorisë që administron sipërfaqen më të madhe pyjore në shkallë vendi, me rreth 83 mijë hektarë, jo vetëm bie ndesh me programin që ka përgatitur vetë Qeveria e re, por përbën një rrezik real për shkatërrimin e mëtejshëm të fondit pyjor, që nesër do të ketë pasoja ekonomike dhe mjedisore të jashtëzakonshme.Rrudhja e vazhdueshme e personelit të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Pukë, me 46 veta, të cilët janë të punësuar aktualisht, është investimi më i keq që kanë bërë qeveritë shqiptare gjatë 20 viteve të fundit për mbrojtjen dhe zhvillimin e burimeve pyjore në rrethin e Pukës, kur sipërfaqja mbi 1000 kilometra katëror pyje në këtë rreth sot ka nevojë për shtesë personeli dhe shumëfishim fondesh” thekson Frroku ne nje deklarate per mediat.Duke mbështetur peticionin e nënshkruar nga 400 intelektualë, specialistë dhe banorë të qytetit të Pukës, deputeti Mark Frroku i kërkon publikisht kryeministrit Rama dhe Ministrit Koka të mos e ndërmarrin një hap të tillë. Sipas tij një kërkesë e tillë nuk adresohet zyrtarisht e motivuar thjesht për punësimin e dhjetëra personave në rrethin me investime të pakta nga buxheti i shtetit, por për faktin se Puka mbetet zona me rëndësinë më të madhe pyjore në shkallë vendi.“Si deputet i zgjedhur, mbështes parezerva peticionin që kanë nënshkruar 400 intelektualë, specialistë dhe banorë të qytetit të Pukës, dhe i kërkoj publikisht kryeministrit z. Edi Rama dhe Ministrit të Mjedisit, z. Lefter Koka që jo vetëm të mos e ndërmarrin një hap të tillë, por të vendosin zyrat e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Pyjor në qytetin e Pukës.Një kërkesë e tillë nuk adresohet zyrtarisht e motivuar thjeshtë për punësimin e dhjetëra personave në rrethin me investime të pakta nga buxheti i shtetit, por për faktin se Puka mbetet zona me rëndësinë më të madhe pyjore në shkallë vendi pasi ka mbuluar 40 përqind të kërkesave për lëndë drusore deri në vitet 1995.Administrimi i pasurive pyjore të Pukës, që nga Shkodra, do të thotë më pak përkujdesje për burimet pyjore të Pukës, më shumë rreziqe nga dëmtimet dhe zjarret, dhe shkatërrim gradual të gjithë kësaj pasurie, ku kësaj radhe krimin më të madh nuk po e bëjnë individët, por institucionet e shtetit, me politikat e papërgjegjshme që po ndjekin” përfundon kreu i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku.