Ndotja e ajrit shqetësim në Shqipëri, Ifti: Gati strategjia sipas sandardeve të BE
Ministria e Mjedisit e Shqipërisë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri kanë organizuar sot Workshop-in mbi "menaxhimin e cilësisë së ajrit".Ky takim zhvillohet në kuadër të projektit Asistencë Teknike për Forcimin e Kapacitetit të Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për Hartimin dhe Detyrimin e Legjislacionit Mjedisor Kombëtar (SELEA).Në fjalën e saj, Zv.ministrja e Mjedisit Olijana Ifti ka deklaruar se pavarësisht progresit për menaxhimin e cilësisë së ajrit por ndotja e ajrit mbetet ende problem.“Kemi tashmë strategjinë kombëtare dhe ligjin e ri për mbrojtjen e ajrit i cili është plotësisht i përafruar me derektivën bazë të Bashkimit Europian. Duke prioritarizuar drejtimet kryesore të politikave në ministrinë e mjedisit mbrojtja dhe cilësia e ajrit padyshim që përbën një nga drejtimet kryesore. Nëse do të kërkonim një paraqitje të situatës aktuale mbi cilësinë e ajrit urban përgjigjja do të gjendej tek çdo qytetar. Smogu dhe pluhuri janë prezent përditë. Industria e rëndë përmes shkarkimeve në ajër e ndot atë duke paraqitur rrezik për shëndetin e çdo qytatari. Kjo situatë do të ndryshonte së pari me përpjekjen dhe kontributin e çdo qytetari” tha Ifti.Sipas saj, situata e rënduar e ajrit do të mund të ndryshojë përmes zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që nuk e respektojnë atë.“Masat e marra ndaj furrave të gëlqereve në Krujë të konsideruara si ndotësit më të mëdhenj dhe më problematik për ndotjen e ajrit dhe burim rreziku për shëndetin e banorëve të zonës nga djegia e gomave të përdorura janë një shembull konkret duke u treguar qytetarëve shqiptarë që ky standart do të zbatohet edhe në vazhdim. Në respektim të normave të shkarkimeve në ajër nga industria e çelikut në Elbasan, fabrikat e çimentos dhe cdo operator tjetër që ndot mjedisin. Kontrolli dhe monitorimi i vazhdueshëm në cdo kohë dhe në cdo moment i këtyre operatorëve dhe për të verifikuar zbatimin e normave të shkarkimit në ajër është prioritet i punës së inspektoriatit të mjedisit” tha Ifti.