Panariti takon Cuiviller, premtohet bashkëpunim në sektorin e peshkimit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe i Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u takua sot në Francë me Ministrin e transportit dhe të Peshkimit të Republikës Franceze, Frederic Cuiviller.Në këtë takim të dy Ministrat shkëmbyen mendime për zhvillimin e sektorit të peshkimit në Shqipëri. Ministri Panariti, kërkoi mbështetjen e Qeverisë franceze për rifreskimin e flotës shqiptare të peshkimit me anije të reja, të përshtatshme sidomos për peshkimin në thellësi.Ministri Panariti theksoi se Shqipëria, ende është larg shfrytezimit të potencialeve të saj të peshkimit për peshqit pelagjikë dhe vazhdon ende të importojë sasira të konsiderueshme të këtyre peshqve nga vende të rajonit.Ai kërkoi bashkëpunim me Francën për shrytezimin e qëndrueshëm të këtyre rezervave në ujërat shqiptare. Ai i kërkoi ministrit francez edhe ndihmë në ngritjen dhe funksionimin e shkollave profesionale të peshkimit, pranë porteve kryesore të peshkimit të vendit.Të dy Ministrat diskutuan edhe për mundësinë e bashkëpunimit për një administrim të integruar të kuotave të peshkimit midis dy vendeve, duke synuar rritjen e kuotave të peshkimit, posacërisht për peshkun ton nga ana e Shqipërisë.Panariti i kërkoi ministrit edhe përkrahje nga Franca, për ndërtimin e tregjeve të mëdha të peshkimit si dhe të kantiereve detare për riparimin e anijeve.Ministri Cuivillier e siguroi ministrin Panariti për mbështetje dhe bashkëpunim intensiv në fushën e peshkimit dhe kërkoi që së shpejti të punohet për përmbylljen e një marrëveshje në fushat e propozuara.