Dy zona të lëna në harresë në Tiranë, Bashkia: 10 mln euro investime në njësitë 4 e 8
Një sipërfaqe prej 88 ha në njësinë bashkiake nr.4 dhe 8 që shtrihet në kufi me lumin e Tiranës do t’i nënshtrohet një rikualifikimi urban, falë bashkëpunimit të Bashkisë Tiranë dhe Komisionit Europian.Ky investim i shpallur si prioritet nga kryebashkiaku Basha që në nisje të mandatit të tij në krye të Bashkisë, do të kryhet në një prej zonave të reja të qytetit të Tiranës në të cilën nuk është ndërhyrë asnjëherë deri më sot dhe ku gjendja e rrugëve është ajo natyrale. Projekti i ndërhyrjes në këtë zonë i është prezantuar banorëve, me qëllim përvijimin më të mirë të problematikës që i shqetëson ata.Zona e propozuar për investim përbëhet nga banesa të ndërtuara në fillim të viteve ’90 e më vonë. Aktualisht, popullsia në këtë zonë arrin në 16 000 banorë, 5% e të cilëve i përkasin komunitetit rom. Shërbimet publike dhe infrastruktura, përfshirë ujësjellësat, rrjetin e kanalizimeve, rrugët e brendshme dhe trotuarët mungojnë.
“Sot jemi para jush për të prezantuar një nga ndërhyrjet më të madhe infrastrukturore që ka njohur ndonjëherë qyteti i Tiranës, një investim i Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e Komisionit Europian, afërsisht 10 milionë euro, në një sipërfaqe prej 88 ha që kap blloqe banimi në të dy njësitë bashkiake, nr.4 dhe 8 dhe që do u shërbejë 16 mijë banorëve të kësaj zone. Ka qenë një lobim i fortë i Bashkisë së Tiranës, pranë Komisionit Europian dhe pranë qeverisë shqiptare që këto fonde të merren dhe të përdoren për këto dy blloqe, blloqe të cilat kanë dy veçori, përgjithësisht zhvillohen në mënyrë informale si dhe ka edhe një prezencë të konsiderueshme të komunitetit rom, për të cilën vëmendja e Bashkisë së Tiranës nuk ka munguar e nuk do të mungojë kurrë” - u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.Në këtë projekt parashikohet ndërtimi i një shkolle, kopshti, çerdheje dhe një qendre sociale për të adresuar nevojat e zonës.“Përveç kësaj, në këtë ndërhyrje është parashikuar (sipas prezantimit që ju do e shikoni), ndërtimi i një shkolle 9-vjeçare me 20 klasa mësimdhënie, 4 laboratorë, sallë kompiuterash dhe një sërë mjedisesh të tjera për të kryer funksionet, ndërtimi i një kopshti dhe çerdhe të integruar për të gjithë banorët e kësaj zone, kërkesë e cila ka qenë praktikisht nga të dy njësitë bashkiake, nr. 4 dhe 8, për shkak të karakteristikave të kësaj zone si dhe ndërtimi i një qendre sociale që do i shërbejë me shërbime sociale të gjithë banorëve të zonës. Qendra do të ketë dy salla polifunksionale, dy salla trajnimi, mjedise për mjekun, psikologun, nëpunësin social, asistencë juridike falas për banorët e kësaj zone etj.Pra, me këtë investim të Bashkisë së Tiranës jo vetëm do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme cilësia e jetës në këto dy blloqe por besoj se pas përfundimit të investimit, këto dy blloqe do të jenë në një situatë model, për tu marrë shembull dhe për të vazhduar me punët tona publike edhe në njësitë e tjera bashkiake të Tiranës dhe blloqet të cilat do të kenë nevojë” - deklaroi Bozdo.Në njësinë bashkiake nr. 4 dhe 8, deri tani Bashkia e Tiranës ka investuar afro 1 milionë euro, në ndërtim infrastrukture dhe rikualifikim urban.“ Më lejoni t’ju kujtoj se ne jemi në procedurat e rikualifikimit urban të bllokut 92/1, një investim i tërë i Bashkisë Tiranë, afro 1 milion euro të investuara për infrastrukturë dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe nga ana tjetër të dyja këto blloqe, veçanërisht ai i njësisë nr.4 kufizohen me lumin Tirana dhe ne shpejt ashtu siç është edhe lajmëruar edhe më parë do të iniciojmë punimet atje për ta rigjeneruar lumin, për ta kthyer atë në sipërfaqe të gjelbër, dhe për ti dhënë zgjerim dhe në të njëjtën kohë për ti dhënë zgjerim dhe nivel më të lartë jetesë, për banorët e kësaj zone dhe gjithë banorëve të tjerë.Vijmë në këtë njësi por edhe për njësinë 8, me një sërë projektesh të realizuara, të cilat jo vetëm tregojnë përkushtimin e Bashkisë Tiranë për qytetarët e saj, por janë projekte model për nga mënyra sesi tenton të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe të zgjidhin problematikat në zonat përkatëse” - u shpreh z. Bozdo.Procedurat e prokurimit nga ana e delegacionit të BE pritet të fillojnë në mars 2014. Puna për zbatimin e këtij projekti do të nisë në muajin korrik dhe do të përfundojë brenda 18 muajsh nga data e fillimit.Parashikimet e projektit:Zona që propozohet për ndërhyrje është:• Zona 1 (njësia bashkiake nr.4) e cila ka një sipërfaqe prej 37 ha dhe ndodhet midis rrugës së “Dibrës”, rrugës “5 Maji” dhe rrugës “Besim Fagu“. Është një zonë ku ¾ e sipërfaqes e zënë ndërtime të ulëta nga 1 kat deri në 4 kate dhe ¼ pallate të reja të ndërtuara kohët e fundit. Numri i banorëve që do të përfitojë nga realizimi i këtij projekti është rreth 9 000.• Zona 2 (njësia bashkiake nr.8) ka një sipërfaqe prej 51 ha dhe ndodhet midis rrugës “5 Maji”, rrugës “Besa” dhe rrugës “Jashar Erebara”. Është një zonë me ndërtime të ulëta, ndërtuar pas viteve ‘90 dhe me popullsi rreth 7000 banorë.Projekti parashikon ndërhyrjen në infrastrukturë si dhe ndërtimin e një kompleksi edukimi në rrugën “Selaudin Bekteshi”, ku përfshihen ndërtimi i një shkolle 9-vjeçare, kopësht e çerdhe e integruar dhe një qendër sociale.Përsa i përket ndërhyrjes në infrastrukturë, projekti parashikon ndërtimin e rrugëve kryesore (rr. ”Selaudin Zorba”, rr. “Besim Fagu”, rr. “Ram Sadrija”, rr. “Pal Hasi”, etj) dhe dytësore të zonës me të gjithë elementët e nevojshëm, të cilat në tërësi janë rreth 16 km.Punimet e parashikuara janë:• Punime në trupin e rrugës• Punime në trotuar rreth 7000 m²• Punime për rrjetin e kanalizimeve të KUZ dhe KUSH,• Punime në rrjetin e ndriçimit rrugor• Punime për rrjetin e linjave rezervë• Punime në sinjalistikë dhe sigurinë rrugore• Gjelbërim në rrugët kryesoreShkolla 9-vjeçare do të ndërtohet sipas normave të vendosura nga Ministria e Arsimit dhe është një godinë tre katëshe, do të ketë 20 klasa mësimdhënie, 4 laboratorë (2 fizike, biologjie, kimie), sallë kompiuterash, 1 sallё për punë me dru, 1 sallë polifunksionale, bibliotekë, ambient për dentistin, ambient për mjekun, ambient pёr sociologun, palestrёn me ambientet ndihmëse, përfshirë dhe ato për personat PAK, zyrat dhe arkivёn, ambientin teknik, etj.Shkolla do të ketë të instaluar sistemin e ngrohjes qëndrore si dhe ngrohjen alternative (panele diellore), rrjetin elektrik, telefonik, rrjetin kompiuterik, rrjetin e furnizimit me ujë. Projekti parashikon edhe sistemimin, gjelbërimin dhe ndriçimin e oborrit të shkollës, ndёrtimin e fushave sportive, ambiente për rreshtimin dhe çlodhjen e nxёnёsve etj. Ndërtimi i i kësaj shkolle do të bëjë të mundur reduktimin e numrit të nxënësve në shkollat e tjera të zonës të cilat frekuntohen nga ky komunitet (shkollat “Misto Mame” dhe “Skënder Çaçi”).Godina e kopshtit tё integruar:Duke qenë nje zonё e ndёrtuar vitet e fundit, këtu ka mungesë të çerdheve dhe kopshteve publike, gjë e cila bën që prindërit t’i çojnë fëmijët në kopshte dhe çerdhe që ndodhen shumë larg banesave të tyre ose në rastin më të keq fëmijët nuk i frekuentojnë këto ambiente. Godina e kopshtit tё integruar (kopёsht & çerdhe) është godinë 2 katëshe, do tё ketё 7 grupe, sallë ndenje, fjetje dhe tualete për çdo grup, sallën e mjekut, guzhinë, lavanteri, kënd lojrash në ambientin e jashtëm, sistem ngrohje qendrore.Qendra sociale:Në këtë qendër sociale do të trajtohen dhe mbështeten kategori të ndryshme, ku përfshihen të rinjtë, fëmijët – adoleshentët, gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara (PAK).Godina e qendrës sociale do të ketë 2 salla polifunksionale, njëra prej të cilave mund të shërbejë për kinema, 2 salla trajnimi, ambiente për mjekun, psikologun, punonjësin social dhe asistencën juridike, mencë ditore, ambiente për lexim, etj. Në ambientet e jashtme parashikohen ndërtimi i 2 terreneve sportive dhe ambiente çlodhëse.