Oketa: Nuk ka asgjë konkrete për kreun e SHISH, as negociata me qeverinë
Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, përgenjështron lajmin e publikuar në media për mundësinë e emërimit të tij në krye të Shërbimit Informativ. Në Ora Live, Oketa e cilesoi spekulim mediatik edhe faktin se ai ka qenë për trajnim në strukturat e sigurisë në një nga vendet më të fuqishme anëtare të NATO-s.“Ditët e fundit kanë qarkulluar disa lajme, jo Oketa është në trajnim, jo është në Uashington, kur unë kam qenë në Tiranë madje kam qenë dhe në aktivitete ku media ka qenë e pranishme. Unë nuk marr përsipër të hyj në detaje nëse është lojë mediatike apo mediatike, por ndaj shqetësimin për mënyrën si trajtohen çështje të tilla referuar një institucioni që ka të bëjë me sighurinë kombëtare dhe aq më tepër referuar marrëdhënieve që kanë të bëjnë me partnerët tanë strategjikë. Nuk është mënyra sesi partnerët tanë strategjikë, qoftë SHBA apo partnerët tanë europianë të operojnë në marrëdhënie të tilla. Është absolutisht e pavërtetë të ndërhyjnë në mënyrën që media i përshkruan apo analistë të ndryshëm. Duke mbetur te lajmi absolutisht nuk ka gjë të vërtetë në të, sëpari nuk ka absolutisht asnjë lloj negociate politike midis FRD dhe ekzekuitivit shqiptar apo institucionit të Presidencës, pasi është Kryeministri dhe Presidenti për një çështje të tillë. Theksoj edhe njëherë në emër të transparencës nuk ka asnjë lloj bisede të tillë referuar personit tim për atë pozicion. Nuk mund të ecet me hipoteza në të tilla çështje dhe aq më tepër vendimarrje të tilla nuk mund të merren në biseda duke krijuar situata hipotetike, kur nuk ka asnjë bisedë të tillë” tha ai.E ndërsa darka mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të FRD-së Bamir Topi la shumë pikëpyetje nga pas, Oketa deklaron se nuk ka asnjë negociatë mes kësaj force politike dhe qeverisë. Duke ju referuar emërimit të Bedri Blloshmit në krye të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve, ai thekson se emërimi nuk ka adhur nga negociata politike, por si pasojë e një propozimi nga disa grupime të përndjekurve politikë.“Referuar emërimit të zotit. Blloshmi absolutisht është një emërim që ne e kemi përshëndetur. Nuk ka qenë emërim për shkak të negociatave politike, por si pasojë e një propozimi të disa grupimeve të përndjekurve politikë. Zoti.Blloshmi ka ato funksione që ka brenda FRD, por theksoj se është një zgjedhje e duhur dhe vlerësim i duhur për një person që përfaqëson më së miri shtresën e të përndjekurve. Pavarësisht përceptimit që mund të ndjehemi më afër mazhorancës, mund të jetë një përceptim i tillë që ne nuk kemi ndrojë që të themi po qeveria po e bën mirë, jo qeveria këtë po e bën keq. Darka e zotit.Topi me zotin. Rama, fundja e fundit ka qenë një darkë mes dy politikanëve.Po të investigoni mund të shihni se po hahen dhe darka të tjera” përfundoi ai.