Studentët njihen me Prezencën e OSBE-së dhe rolin e saj në Shqipëri
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, diskutoi sot me një grup studentësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile rreth historisë dhe veprimtarive të Prezencës së OSBE-së. Veprimtaria ishte pjesë e një sërë seminaresh, që synojnë të rrisin njohuritë dhe kuptimin e të rinjve për OSBE-në.Ambasadori Raunig u shpjegoi studentëve arsyet që çuan në vendosjen e një Prezence të OSBE-së në Shqipëri, në vitin 1997. Ai foli gjithashtu se si është zhvilluar marrëdhënia me vendin pritës përgjatë 17 viteve të shkuara, si dhe rreth përparësive specifike që ka Organizata në krahasim me organizma të tjerë ndërkombëtarë.“OSBE-ja është partnere e Shqipërisë dhe Shqipëria është pjesë e OSBE-së. Ne jemi këtu si një ofertë për vendin. Ne nuk jemi këtu për të kontrolluar. As jemi arbitër mes së Majtës dhe së Djathtës. Ne jemi këtu për të ndihmuar në forcimin e demokracisë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për qytetarët e saj”, tha ai.Duke folur për rolin e Shqipërisë në rajon, Raunig tha: “Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon. Qysh nga viti 1991, Shqipëria ka pasur një politikë të jashtme shumë konstruktive”.Seria e seminareve, e titulluar “Akademia e OSBE-së”, filloi në janar 2014, me një leksion nga nënkryetari i Prezencës rreth OSBE-së në përgjithësi, dhe do të vijojë deri në maj. Në sesionet e ardhshme, katër departamentet e Prezencës do të paraqesin informacion më të detajuar rreth strategjisë dhe veprimtarive të tyre.