Takimi Thaçi-Daçiç, marrëveshje për funksionimin e pikave kufitare

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, kanë rënë dakort që dy nga vendkalimet kufitare të jenë funksionale në 10 dhjetor dhe të dyja palët do të shkëmbejnë zyrtarët ndërlidhës në kryeqytetet përkatëse.Marrëveshja u arrit pas 5 orë bisedimesh në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.Në një deklaratë për shtyp të zyrës së Baroneshës Ashton  thuhet se dy kryeministrat kanë konfirmuar përfundimet e grupeve të punës në bazë të të cilave vendkalimet kufitare në Jarinë dhe në Merdarë  do të jenë fuksionale që prej 10 dhjetorit. Sipas saj, dy vendkalime të tjera do të jenë të gatshme për menaxhim të integruar më 31 dhjetor.Në njoftim thuhet se të dy kryeministrat kanë rënë dakort të caktojnë zyrtarët ndërlidhëse, por fillimisht këtë proces do ta udhëheqin delegacionet e Bashkimit Evropian në Kosovë e Serbi.Zonja Ashton pohon se kryeministri Thaçi i ka konfirmuar që ka ngritur njësitin e posaçëm të policisë me përbërje shumetnike, që do të përkujdeset për ruajtjen e monumenteve religjioze dhe të trashëgimisë kulturore.Të dyja palët kanë rënë dakort që të sigurojnë transparencën e parave të destinuara për mbështetjen e komunitetit serb në Kosovë. Mes të tjerash kryeministrat janë dakorduar që bisedimet të vazhdojnë edhe për fushën e energjisë e telekomunikacionit dhe të intensifikojnë bashkëpunimin e komisioneve për personat e zhdukur gjatë luftës.Me gjithë dakortësinë e të dyja palëve, ende mbetet e paqartë se si do të zbatohet marrëveshja në veriun e banuar me shumicë serbe. Përfaqësues lokal të serbëve në veri edhe gjatë natës kanë qëndruar në vendkalimin kufitar në Jarinë në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes që sipas tyre përcakton kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces të ri bisedimesh politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe më ketë proces Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.Ndërkohë takimi i radhës pritet të mbahet më 17 janar të vitit të ardhshëm.NATO-ja mbështet bisedimet,  shtyn planet për shkurtim trupashVeriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës, pritet të jetë tema më e vështirë e këtyre bisedimeve. Situata në zonë karakterizohet me tensione të cilat kanë bërë që edhe NATO-ja të shtyjë planet për shkurtim të pranisë së trupave të saj në Kosovë.Sekretari  i përgjithshëm i NATO-s Andërs Fogh Rasmussen tha të martën se kjo aleancë mbështet plotësisht procesin politik mes Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke nxitur Beogradin dhe Prishtinën të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të gjetur zgjidhje politike.Zoti Rasmussen ka shfaqur shqetësimin për gjendjen e paqëndrueshme në veriun e Kosovës dhe kjo sipas tij është arsyeja se përse NATO-ja e ka shtyrë vendimin për shkurtimin e mëtejshëm të numrit të pjesëtarëve të KFOR-it.Aktualisht në Kosovë gjenden më pak se 6 mijë trupa të NATO-s.