Basha: Të zbardhet skandali në tatime, hetim parlamentar për shkarkimet në polici
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi si akt të paprecedentë fshirjen e të dhënave nga sistemi i tatimeve.Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, Basha theksoi se vjedhja e të dhënave nga një grup i mirëorganizuar i dyshes Rama-Meta nxjerr në pah një skandal dhe denoncon shtetin mafioz."Ndërhyrja në serverin e tatimeve është veprim flagrant dhe i paprecedentë. Vjedhja e të dhënave nga serveri i tatimeve skandal i përmasave shumë të mëdha dhe është një ndër skandalet më të mëdhenj të periudhës së tranzicionit. Vjedhja e të dhënave është agresion i pashembullt ndaj sipërmarrjes dhe qytetarëve. Grupi që ka ndërhyrë në serverin e tatimeve i adresuar nga kryeministri dhe kreu i Kuvendit" tha Basha.Ai shtoi se këtë javë, PD-ja dhe partitë aleate do të fokusohen në megaskandalin e vjedhjes së të dhënave nga serveri i tatimeve si dhe mbi pasojat që paraqet vjedhja e të dhënave tatimore.Gjithashtu Basha ka njoftuar se Partia Demokratike do të depozitojë këtë javë në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për shkeljen e legjislacionit për shkarkimet, transferimet dhe emërimet në policinë e shtetit dhe për efektet që kanë ato në rendin dhe sigurinë."Situata po precipiton. Gjendja e rendit është përkeqësuar. Kjo situatë është një thirrje e fortë për ne për të kontribuar për kthimin e sigurisë në vend" tha Basha.