Si e pengoi Assadi njohjen e Kosovës nga bota myslimane

Vonesa e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet myslimane ka qenë një nga zhgënjimet më të përfolura për shqiptarët. Serbia në vite është përpjekur ta nënvizojë në Perëndim faktin se Kosova kishte popullsi myslimane, me shpresën për të ushqyer paragjykimet. Në dhunën e saj kundër Kosovës dogji e shkatërroi qindra xhami dhe u kujdes për të fyer ndjenjat fetare të myslimanëve.Pikërisht për këtë ishte zhgënjyese për shqiptarët kur panë një numër të madh vendesh myslimane të ngurronin për ta njohur pavarësinë, madje që një pjesë treguan më shumë afërsi dhe mirëkuptim për pretendimet serbe sesa për kauzën kosovare.Kjo situatë filloi të përmbyset nga dy faktorë. Vendimi i Turqisë për t’u angazhuar në lobim dhe e dyta, njohja e Kosovës në prill të vitit 2009, nga Arabia Saudite, një vend me ndikim në një pjesë të madhe të botës myslimane. Ndonëse kjo e fundit ka disa shtete që pretendojnë role udhëheqëse, në konkurrencë, në mos në konflikt me njëra-tjetrën, të paktën tashmë Kosova kishte dy baza nga ku mund të ndërtonte një sistem serioz lobimi.Shpresa kryesore ishte që për inerci, një numër i rëndësishëm vendesh myslimane do të ndiqnin shembullin e Arabisë Saudite, vendit ku ndodhen Meka e Medina.Në këtë kontekst, samiti i radhës i Konferencës Islamike kishte një rëndësi të dorës së parë. Aty Kosova mund të shkonte e armatosur me njohjen e freskët saudite dhe të paraqiste kauzën e saj, të një vendi që më në fund po dilte nga një pushtim e kolonizim denigrues, që veç shtypjes e masakrave kishte ofenduar rregullisht identitetin fetar të shumicës së popullsisë.Mëkatet e Serbisë në Kosovë nuk ishin një rastësi historike. Bota myslimane ishte shokuar nga masakrat dhe përdhunimet në Bosnje vetëm pak vite më parë. Në shumë kuptime bëhej fjalë për një kriminalitet në seri.Shpresat kosovare i shtonte edhe fakti që Sekretari i Përgjithshëm në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (siç njihet zyrtarisht “Konferenca Islamike”) diplomati dhe akademiku turk, Ekmeleddin İhsanoğlu ishte angazhuar personalisht për të lobuar në atë samit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.Pavarësisht nga të gjitha këto parakushte optimiste, shansi për një kthesë në raportet me botën myslimane u sabotua nga diplomacia e një udhëheqësi: Bashar al-Assadi.Samiti i radhës do të mbahej në Damask, kryeqyteti i Sirisë. Ishte ende një kohë kur dukej se regjimi asadian ishte i paprekshëm e i përjetshëm.Jo vetëm që Siria refuzoi që Kosova të ishte e pranishme në Damask, duke ia refuzuar vizat diplomatike, po edhe përpjekjet për vizita private nga Kosova në kryeqytetin sirian u refuzuan. Ndërsa diplomatëve e hoxhallarëve kosovarë iu mohua mundësia edhe për të hyrë në Siri, “sa për ta pirë një kafe, në klubin përballë samitit”, në krye të vendit mes delegacioneve ndodhej ai i Serbisë, i ftuar e i ledhatuar nga të zotët e shtëpisë.Ndonëse diplomacia kosovare në atë kohë u përpoq të nënvleftësonte sabotimin që iu bë nga Siria, diskriminimi ishte gati i pabesueshëm. Serbisë iu dha mundësia që në korridoret e mjediset e samitit të bënte një fushatë keqinformuese e çorientuese. Në fund të fundit, Serbia kishte nevojë vetëm që të sabotonte momentin e kthesës që frymëzonte njohja saudite.Domethënë, në samitin e myslimanëve të botës u kapardis vendi që më së shumti kishte kryer krime kundër myslimanëve në Europë në 20 vitet e fundit, ndërsa një prej viktimave, Kosova, njohja e së cilës veç të tjerash do të shtonte numrin e vendeve me shumicë myslimane në botë, nuk u pranua as te pragu i derës. Ishte një mësim i mirë realist në politikën ndërkombëtare. Të gjithë myslimanët janë vëllezër, thotë Kurani, por në jetë vëllazëria shpesh ka vulën e interesave politike e ekonomike.Siria nuk ka as më të voglin interes në Kosovë e Serbi. Vendimi i saj diskriminues ishte udhëzim nga Moska. Megjithë pozat e diktatorit të paprekshëm, Asadi e di se është një kukull në duart e Rusisë. Sot, shumë më tepër së atëherë.Sigurisht, Kosova nuk do të jetë më kurrë serbe dhe rrota e historisë nuk mund të kthehet pas. Njohja e Kosovës ka vijuar, ndonëse një shans historik për ta përshpejtuar në një samit me mbi 50 vende anëtare të OKB-së u dogj nga servilizmi i skajshëm filorus i regjimit sirian. Ai shans nuk vjen më, po as edhe mundësia e Asadit për ta dëmtuar më aq rëndë Kosovën. Ky ishte shansi i tij dhe e dëshmoi fytyrën e tij.Lufta civile në Siri mund të ishte shmangur nëse do të kishte një proces decentralizimi në mos demokratizimi të vendit. Po Asadi preferoi ta shihte të digjej vendin e tij, sesa të lëshonte sadopak nga pushteti i tij absolut.Është tipike në fakt, që udhëheqësit të cilët ua mohojnë lirinë popujve të tyre, janë gjithashtu në vijën e parë të mohimit të lirisë ndaj popujve të tjerë. Prandaj, kur Asadi ndjeu t’i rrëshqiste toka nën këmbë, nuk i rezistova dot një ndjenje kënaqësie, ngjante shumë me ndjenjën e shpagimit.Unë nuk e di nëse shoqëria siriane është vërtet e përgatitur për të krijuar një demokraci të mirëfilltë pas Asadit. Nuk ka pasur në krahun e kryengritësve ndonjë model të qartë regjimi që të bën optimist e që të siguron se nuk po rrëzohet një diktaturë për t’u ngritur një tjetër. Mirëpo, në këndvështrimin e ngushtë të interesit kombëtar shqiptar, një gur shahu më pak i Rusisë në tabelën e madhe të politikës botërore është një fitore edhe për shqiptarët.Shiko, ndoshta nuk do të jetë në fund të fundit, një rrëzim i Asadit. Të ngecur në një pozicion “pat” apo “remi” siç e quajnë ata që luajnë shahun, pa një fitues të qartë është e vështirë të imagjinohet se çfarë e ardhme e pret popullin e stërmunduar sirian.Një gjë mund të thuhet megjithatë se, edhe nëse i mbijeton kësaj lufte që shkatërroi vendin për hir të fronit të një njeriu, pushteti i Asadit nuk do të jetë më kurrë njësoj. Nuk do të jetë më kurrë ajo kohë e pranverës së vitit 2009, kur shpërfilli kërkesën e një populli që nuk deshi asgjë më shumë përveçse që t’i dëgjohej fjala e lutja e tij.(Për ironi të fatit, anëtarësia e Sirisë në Konferencën Islamike u pezullua ndërsa Kosova filloi të merrte pjesë rregullisht. Tani është regjimi i Asadit që bën lutje të hyjë nga dera e pasme. Të shkon mendja nganjëherë se ka pak “drejtësi poetike” në këtë jetë.)Vërtet, pikëpamjet e shumë prej vullnetarëve shqiptarë në Siri janë tërësisht të kundërta me pikëpamjet e mia. Jetojmë dhe ëndërrojmë dy botë të ndryshme. E, sigurisht, do të doja që rekrutime të tilla të merrnin fund, sidomos nëse bazohen në abuzime të ideologjisë fetare. Por nuk mund të rri pa thënë se është të paktën një ngushëllim i madh që po luftojnë kundër një regjimi, i cili e meriton të rrëzohet, për të mirën e sirianëve e të shqiptarëve së bashku./Burimi: mapo.al/